Nesër shënohet Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase, do të jetë ditë jopune
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë njoftoi se 23 tetori 2024 (e mërkurë), Dita e Luftës Revolucionare të Maqedonisë, është ditë jopune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Festa shënohet që nga viti 2007 dhe i referohet rastit të themelimit të Organizatës Revolucionare në Selanik, më 23 tetor 1893.
Me rastin e 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, më 23 tetor 2024 (e mërkurë), në orën 11:00, Delegacioni i Kuvendit i përbërë nga nënkryetari Antonijo Milloshoski dhe deputetja Emilija Angellova, do të vendosë kurorë me lule të freskëta në Monumentin “Themeluesit e VMRO-së” në Parkun “Gruaja Luftëtare” në Shkup.
Poashtu me rastin e kësaj dite, nesër, në Sallën e Kristaltë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në orën 12:00, Këshilli për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “23 Tetori” do ta ndajë Çmimin Shtetëror “23 Tetori” për vitin 2024 për arritje shumëvjeçare në fushën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore dhe historike me interes publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Çmimi Shtetëror “23 Tetori” sivjet i ndahet poetit Sllave Dimoski për arritje shumëvjeçare në fushën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore dhe historike me interes publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.