Nesër fillon edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK: Tre net emocione, dritë dhe zëra të rinj
Më 6, 7 dhe 8 nëntor do të mbahet edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Ky festival tradicional pritet të mbledhë artistë, muzikantë dhe artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, duke sjellë në skenë emocione, zëra të rinj dhe energji të re muzikore, shkruan Portalb.mk.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 20 këngëtarë, të përzgjedhur nga një juri profesionale për të interpretuar këngë të reja, të cilat synojnë të promovojnë vlerat dhe identitetin muzikor shqiptar.
Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla për Portalb.mk ditë më parë tha se përmes këtij edicioni, festivali synon të ndërtojë një urë mes brezave, duke i dhënë vlerë trashëgimisë kulturore dhe muzikore..
“Edicioni i sivjetshëm i Festivalit të Këngës do të sjellë një linjë të qartë trashëguese, duke i dhënë vazhdimësi frymës së festivaleve me traditë të gjatë në Kosovë si Akordet e Kosovës dhe Boom, apo rezistenca kulturore e viteve 90 në Kosovë. Ai do të ruajë elementet që e kanë bërë këtë ngjarje një pikë referimi në historinë muzikore të vendit, ndërsa do të ndërthuret me prurje të reja artistike, interpretime bashkëkohore dhe një frymë të freskët krijuese. Përmes këtij edicioni, festivali synon të ndërtojë një urë mes brezave, duke i dhënë vlerë trashëgimisë kulturore dhe muzikore, por njëkohësisht duke i hapur rrugë risive që pasqyrojnë zhvillimin e skenës muzikore kosovare sot”, tha Gërvalla.
Ai edhe më tej shtoi se kriteret e këtij edicioni mbeten në përputhje me standardet profesionale të çdo festivali që synon të arrijë nivelin e Eurovizionit.
“Kriteret e këtij edicioni mbeten në përputhje me standardet profesionale të çdo festivali që synon të arrijë nivelin e Eurovizionit. Çdo këngë duhet të jetë e regjistruar në studio profesionale dhe të jetë e patransmetuar më parë, në mënyrë që të ruhet autenticiteti dhe ekskluziviteti i saj. Teksti duhet të jetë i fuqishëm, me mesazh të qartë dhe emocionues, që reflekton frymën bashkëkohore dhe ndjeshmërinë artistike të autorëve. Në aspektin muzikor, kërkohet një orkestrim modern, që ndërthur elemente të pop-it dhe rock-ut, duke i dhënë këngës energji, dinamizëm dhe një frymë që i përshtatet skenës së muzikës argëtuese. Synimi është që çdo krijim të ketë identitet të veçantë artistik, por njëkohësisht të jetë konkurrues në tregun muzikor ndërkombëtar, duke përfaqësuar denjësisht potencialin krijues të skenës kosovare”, tha Gërvalla.
Gërvalla potencoi se i tërë Festivali i Këngës në RTK do të jetë një prodhim tërësisht vendor, një realizim autokton i Radio Televizionit të Kosovës.
“I tërë Festivali i Këngës në RTK do të jetë një prodhim tërësisht vendor, një realizim autokton i Radio Televizionit të Kosovës, që dëshmon kapacitetin, kreativitetin dhe profesionalizmin e stafit të RTK-së në të gjitha hallkat e prodhimit televiziv dhe muzikor. Ky edicion do të mbledhë në një skenë të vetme artistë nga të gjitha trevat shqiptare; nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora, duke e bërë festivalin një urë të gjallë bashkimi kulturor dhe një shprehje të përbashkët të identitetit muzikor shqiptar. Përmes këtij produksioni, RTK jo vetëm që afirmon rolin e saj si institucioni kryesor publik i kulturës dhe artit në vend, por edhe synon të forcojë bashkëpunimin mes krijuesve shqiptarë kudo që janë, duke promovuar diversitetin, bashkimin dhe profesionalizmin në skenën tonë muzikore. Festivali do të jetë një spektakël i nivelit të lartë artistik dhe teknik, me skenografi moderne, orkestrim bashkëkohor dhe një energji që reflekton frymën e re të muzikës shqiptare”, tha Gërvalla.
Përmes këtij festivali, RTK synon të krijojë një vazhdimësi të trashëgimisë kulturore, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke ofruar një skenë moderne që nxit krijimtarinë dhe promovon talentet e reja.
Juria e Festivalit do të bëhet e njohur vetëm në fund, sipas politikave zyrtare të festivalit, të cilat parashohin që deri në ditën e parë të ngjarjes emrat e anëtarëve të mbeten konfidencialë. Ky rregull është vendosur për arsye sigurie dhe integriteti artistik, me qëllim që të garantohet pavarësia e plotë e jurisë.
Gara do të jetë për të gjithë kandidatët e selektuar të cilët do të përzgjidhen në dhjetëshen e finales. Njëjtë sikur edhe vitet e kaluara do të jenë tre net të festivalit që do të pasojnë me emisonet postfest.
RTK do ta transmetojë drejtpërdrejtë Festivalin e Këngës me të gjithë partnerët e saj sikurse është RTSH apo RTM në Maqedoninë e Veriut.