Nesër do të vendoset gurthemeli i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup informoi se do të zhvillohet ceremoni solemne për vënien e gurthemelit të Kampusit të ri të UNT-së. Ngjarja do të zhvillohet nesër, më 7 Mars 2026, duke filluar nga ora 12:30.
“Në këtë ceremoni, përkrah rektorit të UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, do të jenë të pranishëm drejtuesit e lartë të institucioneve, Z. Hristijan Mickoski, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Z. Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë, Z. Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit, si dhe Znj. Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës, znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri, Zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve, të cilët do t’iu drejtohen të pranishmëve me fjalë rasti. Po ashtu, do të marrin pjesë përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, diplomatë dhe drejtues të jetës akademike”, informojnë nga UNT.
Ndërtimi i kampusit, shtojnë nga Universiteti, do të shërbejë si një urë lidhëse mes arsimit cilësor dhe nevojave të tregut të punës, “duke siguruar kushte bashkëkohore për gjeneratat e reja të studentëve dhe studiuesve. Ky projekt është dëshmi e përkushtimit tonë për të krijuar një mjedis ku inovacioni dhe profesionalizmi janë në plan të parë”.
Punimet në terren për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup janë zvarritur prej kohësh, procesi kishte ngecur në procedura administrative.
Nga Universiteti “Nënë Tereza” disa ditë më parë bënë të ditur se ende nuk është përcaktuar datë konkrete për fillimin zyrtar të punimeve ndërtimore të kampusit të ri.
“Aktualisht, aktivitetet që lidhen me kampusin e ri ndodhen në fazën e procedurave institucionale dhe administrative, në bashkëpunim me organet kompetente shtetërore. Universiteti ende nuk ka përcaktuar një datë konkrete për fillimin zyrtar të punimeve ndërtimore”, thanë nga UNT-ja.
Kujtojmë se nëntorin e vitit të kaluar, Universiteti “Nënë Tereza” reagoi ndaj publikimeve për shkurtimin e buxhetit qeveritar për ndërtimin e kampusit universitar, duke theksuar se projekti nuk është anuluar dhe se do të realizohet në faza, ndërsa aktualisht procesi ndodhet në procedura institucionale dhe administrative.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 16 shtatorit 2025 miratoi vendimin që parcela e cila më parë i takonte kazermës së Armatës, t’i bartet në pronësi të përhershme Universitetit “Nënë Tereza”. Me këtë u hape rruga për dhënien e lejes për ndërtim të kampusit të këtij Universiteti.
Ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, pati premtuar 40 milionë euro investime për kampusin e ri universitar, por ky buxhet nuk figuron në propozim-buxhetin e vitit 2026-të.
Kujtojmë se, prej kohës kur ministër i arsimit dhe shkencës ishte tashmë i ndjeri Abdilaqim Ademi, u premtua se do të ndërtohet objekti për Universitetin e Tetovës-Studimet e disperzuara në Shkup. Por, pas mbylljes së këtyre drejtimeve, u premtua se vendi dhe objekti do të ndërtohet për interesat e universitetit të ri në Shkup, Universitetit “Nënë Tereza”.
- LEXO: Zvarritet fillimi i punimeve për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, procesi ende në letra
- LEXO: Universiteti “Nënë Tereza” reagoi në lidhje me buxhetin e planifikuar për ndërtimin e kampusit
- LEXO: Qeveria e RMV-së miratoi vendimin me të cilin parcela e kazermës së Armatës do t’i jepet Universitetit Nënë Tereza