MPB-ja sot raportoi dy raste dhune në Shkup, janë arrestuar dy autorët e dyshuar

Dy raste të dhunës janë raportuar nga MPB-ja gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm në Shkup. Në njërin rast është arrestuar një 25-vjeçar i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe ka mbajtur të mbyllur një vajzë 22-vjeçare, ndërsa në rastin tjetër një 54-vjeçar dyshohet se ka sulmuar vajzën e tij 15-vjeçare nën ndikimin e alkoolit. Policia ka ndërhyrë në të dy rastet dhe të dyshuarit janë privuar nga liria. Pas dokumentimit të plotë të rasteve pritet ngritja e kallëzimeve përkatëse, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se më 5 mars 2026, rreth orës 16:55, në zonën e Gazi Babës në Shkup, zyrtarët policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria E.A. (25) nga Shkupi.

“Është raportuar se ai më 23.02.2026 e sulmoi fizikisht një vajzë 22-vjeçare me të cilën ishte takuar më parë, e cila kishte mbërritur nga Gjermania dhe me të njëjtën kishte bërë dashuri, si dhe i kishte bërë kërcënime, dhe gjithashtu gjatë kohës që ajo ishte në shtëpinë e tij ai nuk e lejoi të dilte vetëm dhe i mori telefonin celular dhe më 04.03.2026 ajo arriti të telefononte nënën e saj, e cila njoftoi policinë, e cila mbërriti në adresën e treguar dhe veproi pas vlerësimit të rrezikut”, thuhet në njoftim.

Sipas raportit të policisë, ai dyshohet se më 23 shkurt 2026 ka sulmuar fizikisht një vajzë 22-vjeçare me të cilën ishte takuar më parë. Vajza kishte ardhur nga Gjermania për ta takuar atë, ndërsa gjatë qëndrimit në shtëpinë e tij, sipas denoncimit, ai e kishte kërcënuar dhe nuk e kishte lejuar të largohej vetëm nga banesa. Gjithashtu, ai i kishte marrë telefonin celular.

Sipas MPB-së, më 4 mars 2026 vajza ka arritur të kontaktojë nënën e saj, e cila menjëherë ka njoftuar policinë. Pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në adresën e dhënë dhe ka ndërmarrë veprimet përkatëse pas vlerësimit të rrezikut.

Nga MPB bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar edhe prokurori publik dhe, pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim penal përkatës në procedurë të shpejtë.

Ndërkohë, një tjetër rast i dhunës është regjistruar mëngjesin e sotëm në një fshat të komunës së Sarajit. Zyrtarët policorë nga SPB Shkup e kanë privuar nga liria S.Z. (54), pasi dyshohet se rreth orës 05:00 të mëngjesit ka sulmuar fizikisht vajzën e tij 15-vjeçare në shtëpinë e tyre familjare.

Sipas raportit, ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e incidentit, ndërsa djali i tij ka arritur t’i ndajë dhe të parandalojë përshkallëzimin e dhunës.

Policia ka kryer hetim në vendin e ngjarjes dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet raporti përkatës.

“Zyrtarët e policisë nga SPB Shkup këtë mëngjes e privuan nga liria S.Z. (54) nga një fshat në komunën e Sarajit. Sipas raportit, rreth orës 5 të mëngjesit, ai e sulmoi fizikisht vajzën e tij 15-vjeçare nën ndikimin e alkoolit në shtëpinë e tyre, por djali i tij arriti t’i ndante. Një ekip nga SPB Shkup kreu hetim dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet një raport përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.