Nëse ekonomia e RMV-së është aq e fortë, pse merrni hua të re prej 260 milionë eurosh, pyeti Bytyqi, ministrja nuk erdhi në Kuvend
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, ish-zëvendëskryeministër i ekonomisë, në seancën e sotme parlamentare duke prezantuar të dhëna e paralajmëroi Qeverinë dhe publikun se me kredinë e re të Qeverisë prej 260 milionë eurosh Maqedonia po i afrohet rrezikshëm një borxhi prej 61 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), raporton SDK, përcjell Portalb.mk.
Bytyqi tha edhe se ish-zëvendëskryeministri Zoran Stavreski ka negociuar personalisht që Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) të merrte një kredi prej 300 milionë eurosh. Këtë informacion nuk e demantoi as zëvendësministri i financave Nikollçe Jankullovski, e as deputetët e VMRO-DPMNE-së.
“Nëse ekonomia është kaq e fortë, ne jemi ekonomia e tretë më e mirë në Evropë, pse po merrni hua? Me këtë kredi prej 260 milionë eurosh do ta kalojmë kufirin e një borxhi të përgjithshëm prej mbi 11 miliardë eurosh. Për dy vjet keni marrë hua 2,5 miliardë euro!”, tha Bytyqi në seancën për huamarrjen e Maqedonisë me procedurë të shkurtuar.
Bytyqi e përcolli vlerësimin se në vitin 2030 vetëm për interesa për kreditë Maqedonia do të paguajë 2,74 milionë euro, për çka asnjë nga përfaqësuesit e Qeverisë nuk replikoi.
“Nuk ka investime publike. Gjithnjë e më shumë po zvogëlohet hapësira për ndërtimin e shkollave të reja, kopshteve, shtëpive dhe të mirave të tjera publike. Kjo është një strategji mbijetese me para të marra hua”, tha Bytyqi.
Ku është Ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në vend që të shkruajë statuse?, pyetën deputetët e opozitës për atë se pse ajo nuk mori pjesë në seancën parlamentare.
“Në seancë sot janë dy pika të rëndësishme. Krahas huamarrjes prej 260 milionë eurosh, po miratohet Strategjia Fiskale 2017-2031. Çfarë do të thotë kjo, ajo nuk do të vijë dhe të thotë nëse do të ketë huazime të tjera?”, reagoi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.
“Ministrja është në një udhëtim zyrtar të planifikuar paraprakisht. Rregullorja kërkon që të ketë një përfaqësues nga Ministria e Financave, kemi Zëvendësministrin e financave, ai është këtu në seancë. Ministrja është në një udhëtim zyrtar në Slloveni, ajo është kryetare e Këshillit Drejtues të CEF-it”, tha koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
“Tani jam edhe më i shqetësuar nga kjo që thatë. Thatë se ajo ka planifikuar një udhëtim të rregullt në Slloveni. Atëherë pse pikërisht tani e vendosni huamarrjen prej 260 milionë eurosh në rend të ditës? Sikur Koçoska-Dimitrieska një herë të ishte këtu kur miratohet Buxheti, kur Maqedonia po merr hua… Gjithçka e keni sipas një plani paraprak, por po kërkoni huamarrje me një procedurë të shpejtë!”, tha Spasovski.
Mitko Trajçuleski tha se, përveç shtetit, VMRO-DPMNE i ka futur në borxhe edhe komunat. Që të gjithë tani jetojnë me kredi, tha ai.
Në vend që të jepnin argumente dhe ta justifikonin huamarrjen e fundit, deputetët e shumicës qeverisëse folën për rejtingun e LSDM-së.
Bytyqi, përveç se që tha se Stavreski po negocion një kredi prej 300 milionë eurosh për NPRRSH-në, përkujtoi edhe se më 19 maj Qeveria mori një hua prej 28,5 milionë eurosh nga bankat në vend.
Pasi tha se nga kjo kredi do të financohet edhe rritja e pagave prej 8 përqind, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, tha: “Nuk mund ta kuptoni ju kapacitetin ekonomik të kësaj Qeverie”.
Paraprakisht, në një konferencë për shtyp, Bytyqi theksoi se Qeveria u shpejtua me marrjen e vendimit për të marrë hua prej 260 milionë eurosh dhe i shkeli procedurat parlamentare. Ai tha se grupi parlamentar i LSDM-së do të kërkojë interpelancë dhe do të ngrejë kallëzim penal kundër Kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi.
“Aq me ngut e kishte Qeveria Mickoski huamarrjen e re saqë menjëherë pas festës, në kundërshtim me Rregulloren dhe procedurat, e vunë në rend të ditës në Kuvend huamarrjen prej 260 milionë eurosh. Kjo është një shkelje e rëndë e procedurave dhe keqpërdorim i Kuvendit. Për këtë arsye, LSDM-ja, siç njoftoi, do të kërkojë interpelancë dhe do të ngrejë kallëzim penal kundër Kryetarit të Parlamentit”, tha ai.
Deputetëve të Qeverisë që tentuan të thoshin se kjo ishte një kredi me kushte shumë të favorshme, Bytyqi u tha: “Për këto 260 milionë euro do të duhet të paguajmë interesa prej 64 milionë eurosh, pa provizionet e agjencive”.
Ndryshe, me 65 vota “pro”, 14 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi sot miratoi ligjin për huamarrje për nevojat e Buxhetit të përgjithshëm në vlerë prej 260 milionë eurosh. Siç deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulovski, kredia do të përdoret për nevojat e Buxhetit të përgjithshëm, për financimin e projekteve të infrastrukturës kapitale dhe për shlyerjen e borxheve të vjetra, përfshirë eurobonon prej 700 milionë eurosh të marrë në vitin 2020.