Nëse Bashkimi Evropian nuk reformohet, Ballkani mund të mbetet në harresë

Në Granadë të Spanjës, liderë nga BE-ja dhe jashtë unionit u mblodhën për të diskutuar gjendjen e sigurisë në Evropë pas agresionit rus ndaj Ukrainës. 50 krerë të shteteve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) dhe nga Ballkani Perëndimor janë përpjekur për të ngritur nivelin e dialogut të BE-së me shtetet jo anëtare. Rusia dhe sfidat pas kanë qenë një ndër temat e takimit.

Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, gjithashtu është parë si domosdoshmëri për të parandaluar destabilizimin e Evropës dhe të krahut jugor të NATO-s. Kurse në Tiranë, takimi i delegacioneve nga Ballkani në kuadër të Samitit jo formal të “Procesit të Berlinit”, ka lënë pas “Ballkanin e Hapur” me shumë të panjohura se pse Shqipëria u largua, ndërsa Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ende shpresojnë në nismën që për shumë të huaj mbetet e dyshimtë. Të dyja takimet e nivelit të lartë janë organizuar në kohën ku BE-ja nuk ka ndonjë strategji afatgjate rreth fatit të Ukrainës dhe zhvillimeve të fundit në Ballkan. Diplomacia perëndimore në fakt është në kaos dhe nuk ka një plan afatgjatë për krizat që po shpërthejnë në rajonin e Ballkanit. Andaj në të dy takimet e BE-së, gjasat janë shtuar të kuptohet rreziku se një luftë tjetër në Ballkan do të jetë fatale për vetë BE-në.

Megjithatë, duhet nënvizuar se nga zyrtarët e lartë të BE-së nuk kemi ndonjë datë se kur zgjerimi do të ndodhë, dhe a do të jetë 2030-ta përfundimisht viti i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit në BE. BE-ja është në pritje të ofenzivës së paralajmëruar diplomatike të SHBA-së në Ballkan me të emëruarin e ri në Departamentin e Shtetit James O’ Brien. Pa një diplomaci të re amerikane, BE-ja e vetme nuk do të jetë në gjendje t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në mes Serbisë dhe Kosovës, dhe sigurisht mundësitë janë që ta fundosë Bosnjën. Disa analistë thonë se nuk ka garanci as nga administrata e presidentit amerikan Biden se shumë çështje të hapura në Ballkan do të mund të zgjidhen deri në vitin 2030. Pas ngjarjeve në veri të Kosovës ku Serbia haptazi me metoda hibride bëri një agresion ndaj shtetit të Kosovës, BE-ja si asnjëherë më parë duhet të rimendojë politikën e anëtarësimit të shpejtë të rajonit dhe njohjes së Kosovës nga pesë vendet tjera të unionit. Dhe më pas fillimi i dialogut të normalizimit me Serbinë.

Paralelisht BE-ja dhe SHBA-ja duhet të vënë në kontroll Beogradin zyrtarë si mënyrë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës në veri të Kosovës nga forcat paramilitare serbo-ruse, dhe mbrojtur Bosnjën nga shpërbërja. Andaj për të arritur 2030-ën një reforim i domosdoshëm i vetë BE-së duhet të bëhet si nevojë për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit dhe mundësisë që BE-ja të reagojë shpejtë në krizat e ardhshme. Për lexuesit tanë duhet të sqarojmë se Komuniteti Politik Evropian (EPC), është një forum politik dhe strategjik i themeluar në vitin 2022 pas agresionit rus të Ukrainës.

Takimi i parë u mbajt në tetor të vitit 2022 në Pragë, i dyti në Moldovë, ndërsa i treti së fundmi në Spanjë. Ashtu siç thuhet në dokumentin themelues, EPC-ja, ka si synim forcimin e lidhjeve në mes shteteve aktuale të BE-së dhe shteteve jo-anëtare. Po ashtu EPC-ja bën përpjekje që të rrisë bashkëpunimin e shteteve në shumë fusha si: siguria, emigrimi, energjia, kushtet klimatike etj etj. Për “Procesin e Berlinit” kemi dëgjuar më shumë.

Ka filluar nën qeverisjen e ish- kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2014 me qëllim të forcimit të lidhjeve midis vendeve kandidate dhe atyre potenciale për në BE nga ish- hapësira jugosllave duke përfshirë edhe Shqipërinë. Bashkëpunimi rajonal ekonomik dhe politik në kuadër të “Procesit të Berlinit” shihet si element kryesorë i nismës gjermane. Përkundër këtyre dy proceseve, pa një riformatim të BE-së, do të jetë i vështirë zgjerimi në Ballkan.

Pasi kriza në Bosnjë dhe në Kosovë po merr dinamika të reja, BE-ja do të duhet të veprojë shpejtë dhe me plan konkret si brenda dhe jashtë për të parandaluar një konflikt të ri me përmasa evropiane. Poqëse do të vazhdohet me antagonizmat e së kaluarës evropiane, atëherë 2030-ta do të mbetet vetëm një ëndërr për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa BE-ja do të vazhdojë të mbajë statusin e një unioni të parëndësishëm rajonal dhe global.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.