Nëpunësja e Postës ka fituar biznes nga Elektranat me vlerë 7 milionë euro

Maja Jordanova ka lidhur tri kontrata në vlerë prej afër shtatë milionë eurosh për prokurimin e aditivëve të thëngjillit për KXE Manastir dhe TC Osllomej. Në të gjithë tenderat nëpunësja e postës ka qenë ofertuesi i vetëm, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.

Maja Jordanova nga Velesi është punësuar në Sh.A. Postat e Maqedonisë tre vite më parë. Paralelisht me shërbimin shtetëror, 34-vjeçarja nga Velesi ushtron edhe një biznes. Ajo është pronare dhe menaxhere e kompanisë “Braincode”. Pikërisht kjo kompani u zgjodh nga Sh.A. shtetërore ESM për ta revolucionarizuar procesin e prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet KXE Manastir dhe TC Osllomej. Do të importojë një aditiv nga Italia që do të përdoret për herë të parë në të dy objektet energjetike si zëvendësues i mazutit. Kompania “Braincode” nuk ka asnjë të punësuar, më parë ka bërë tregti me materiale zyre, ndërsa pas fillimit të punës me produkte kimike vitin e kaluar ka lidhur tri kontrata me ESM-në në vlerë gati prej shtatë milionë euro si ofertuesi i vetëm.

Selia e “Braincode” gjendet në një shtëpi familjare në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup. Në të njëjtën adresë janë të regjistruara disa kompani, pronarët apo menaxherët e të cilave janë njerëz nga Velesi. “Braincode” është themeluar në shtator të vitit 2017, si kompani që do të merret me tregtimin e materialeve, pajisjeve dhe letrës për zyra. Pronare dhe menaxhere është Maja Jordanova nga Velesi. Kur menaxhmenti i Sh.A. Elektranat në Maqedoninë e Veriut (ESM) ka planifikuar prokurimin publik në fillim të vitit 2023, kanë paraparë blerjen e një aditivi për KXE Manastirin që do të ndihmonte në zvogëlimin e formimit të shtresimeve në kaldaja ku digjet qymyr dhe mazut me kalori të ulët. KXE Manastiri asnjëherë nuk ka përdorur aditiv si zëvendësues për mazutin dhe një prokurim i tillë planifikohet për herë të parë. Në të njëjtin muaj që Elektranat e bënë planin se çka do të prokurojnë për vitin aktual, kompania “Braincode” e ndryshon aktivitetin e saj dhe nga një kompani që merret me tregtinë e mallrave për zyrë, riregjistrohet në një kompani për tregti me shumicë të produkteve kimike. Më 3 gusht, tetë muaj pasi kishin paraparë blerjen, tre drejtorë nga KXE Manastiri përgatisin një dokument me dy faqe të quajtur “Analiza Tekno-Ekonomike” dhe vlerësojnë se blerja do të kushtojë rreth 3.5 milionë euro.

“Për shkak të formimit të shtresimeve (skorje/zgjyrë) ka dëmtime të tubacioneve, pra nevojitet spërkatja e tyre e me këtë edhe ndalim i punës së bllokut. Në këto raste gjatë rehabilitimit të gypave nuk kemi prodhim të energjisë elektrike dhe në të njëjtën kohë shpenzohen mjete për rehabilitimin e tyre. Zakonisht një ndalesë e tillë është mesatarisht rreth 72 orë, gjatë të cilave nuk prodhohet energji elektrike”, shkruhet në dokumentin që Sh.A. ESM-ja ka dorëzuar në IRL. 

Sipas Ligjit për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, IRL-ja nga Sh.A. ESM-ja e ka kërkuar të gjithë dosjen e tenderit për prokurimin e aditivit. Shpallja është publikuar më 17 gusht 2023 dhe ajo që bie në sy është se ESM-ja nuk i ka vendosur kushtet e zakonshme për pjesëmarrjen e kompanive që përdor në procedurat e tenderit ku vlera e blerjes është disa milionë euro, sipas të cilave ofertuesit duhet të dëshmojnë se në vitet e kaluara kanë pasur të ardhura minimale vjetore që nuk janë më të ulëta se vlera e paraparë e tenderit.

Sipas dokumenteve nga Regjistri Qendror, në vitet e para të funksionimit kompania ka të ardhura modeste. Biznesi fillon të rritet në vitin 2022 kur të ardhurat vjetore janë tetëfishuar, në 343 mijë euro dhe një fitim prej afërsisht 100 mijë euro – e gjithë kjo pa asnjë punonjës.

Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Civile, organizatë që monitoron prokurimet publike, thotë se është e dyshimtë që ky kusht nuk është përdorur për tenderin që po heton IRL-ja.

“Nëse do të ishte përdorur ky kusht i zakonshëm për tenderët e mëdhenj të ESM-së, ndërmarrja “Braincode” as që do të mund të merrte pjesë në tender. Gjegjësisht, të ardhurat vjetore të “Braincode” në vitin 2022 ishin 11 herë më të ulëta se vlera e kontratës së parë për furnizim me aditivët për zgjyrën”, thotë Fakiq.

Ne e kontaktuam Maja Jordanovën në numrin e saj privat, por ajo tha se ishte në punë në postë. Për çështje të biznesit privat ajo mund të diskutojë “pas orës pesë pasdite”. Në profilin e saj në Facebook, përveç fotografive familjare, Jordanova shpesh herë di të ndajë aktivitete të LSDM-së, foto dhe postime në mbështetje të partisë.

Në një përgjigje me shkrim për IRL-në ajo thotë se ka hyrë në biznesin e kimikateve që nga viti 2021 dhe se përveç kompanive shtetërore bashkëpunon edhe me firma private.

“Mjetet (për blerjen e aditivit) i kemi siguruar në baza të ndryshme, një pjesë nga të ardhurat tona, një pjesë nga kredi në banka komerciale dhe me marrëveshje për pagesë të prolonguar me furnitorët”, është përgjigjur Jordanova e pyetur nga IRL-ja se si kanë arritur të sigurojnë para për blerjen e aditivit të shtrenjtë nga Italia që do të përdoret për herë të parë në vendin tonë.

Nga muaji prill i vitit 2023 drejtor i Sh.A. ESM-së është Vasko Stefanov, i cili zëvendësoi Vasko Kovaçevskin. Stefanov është kuadër i LSDM-së, ndërsa në Elektrana ka ardhur pasi më herët ka qenë drejtor gjeneral i kompanive të tjera të mëdha aksionare si “Ekonomia e Ujërave” dhe “Posta”.

Edhe pse plani fillestar për prokurimin publik nuk parasheh blerjen e një aditivi të tillë edhe për TC Osllomejin, kompania shtetërore me menaxhmentin e ri në korrik bën ndryshime në plan dhe fut një prokurim të ri publik. Kushtet në specifikacionin e tenderit janë të njëjta si për tenderin për KXE Manastir. Vlera e tenderit të dytë është 2.2 milionë euro.

Në tenderët më të mëdhenj, Sh.A. Elektranat nga ofertuesit zakonisht kërkon të dëshmojnë se janë bartës të standardeve të caktuara për cilësi apo për menaxhimin e mjedisit jetësor. Por kjo nuk është paraparë në këtë tender. Në tendera kaq të mëdhenj, thotë Sabina Fakiq, ofertuesve u kërkohet gjithashtu të sigurojnë dëshmi të përvojës së mëparshme përmes një liste referuese të kontratave të lidhura në vitet e mëparshme.

“Nëse i lidhim këto fakte me riregjistrimin që ka bërë kompania Braincode në janar, mund të dyshojmë se kushtet në dokumentacionin e tenderit i janë përshtatur kësaj kompanie, pra ka mundësi që ajo të fitojë tenderin pa përvojë paraprake në fushën e dhënë. Kërkohet vetëm regjistrimi në aktivitet, që nuk është dëshmi e përvojës as të kompanisë dhe as të stafit”, shton Sabina Fakiq.

Kur u hapën ofertat në dy kombinatet mineralo- energjetike ishte dorëzuar vetëm një ofertë. Nga kompania “Braincode” e Maja Jordanova, e cila pa konkurrencë bëhet furnizues për aditivin për Sh.A. ESM-në dhe lidh dy kontrata me vlerë prej 6.5 milionë euro.

Lidhjet e Maja Jordanovës me sektorin e energjisë elektrike nuk janë vetëm përmes kompanisë së saj private, por ajo është e lidhur edhe familjarisht me njerëz që kanë mbajtur poste të larta në kompaninë shtetërore për të cilën ajo furnizon aditivë. Kushëriri i saj është Danço Stojanovski nga Velesi, i cili ishte drejtor komercial dhe anëtar i Bordit Drejtues të Sh.A. ESM-së nga muaji maj i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022. Danço Stojanovski paraprakisht dy mandate ka qenë këshilltar në komunën e Velesit nga radhët e LSDM-së, ndërsa katër vite nga viti 2017 deri në vitin 2021 ka qenë drejtor i Teknologjisë Informatike në Postë, pikërisht në periudhën kur aty është punësuar kushërira e tij, Maja Jordanova.

E pyetur për lidhjet politike me LSDM-në në pushtet dhe dyshimet që lindin nga lidhjet e ngushta familjare me njerëzit që kanë qenë në krye të Elektranave, ajo u përgjigj se “Me këtë pyetje ju cënoni të drejtën time për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale që garantohet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.”

Në prill të vitit 2022 Maja Jordanova së bashku me Dejan Galevin nga Velesi formojnë një kompani tjetër “Brain Solar” Sh.P.K. për prodhimin e energjisë elektrike.

Sh.A. ESM rekordere në tenderë me një ofertues

“Braincode” e blen aditivin nga kompania “Aquaflex SRL” nga Millano, Itali. Si një nga kushtet e përcaktuara në specifikacionin teknik “Braincode” duhet të punësojë ekspertë, dhe konkretisht: tre inxhinierë të kimisë, një inxhinier mekanik dhe një inxhinier elektrik. Kompania nuk ka asnjë punonjës prandaj angazhon bashkëpunëtorë të jashtëm. Inxhinierët e kimisë me të cilët lidh kontratë janë të punësuar në fabrikën në Itali që e prodhon aditivin, inxhinierët elektrikë dhe mekanikë, Dimitrie Danailloviq dhe Todor Minov, punojnë në TC Negotinë.

Sistemi në KXE “Manastir” është bërë për shfrytëzimin e linjitit, i cili gjendet në minierat përreth në fushën e Pellagonisë, si në anën maqedonase ashtu edhe në atë greke. Por duke qenë se është gjithnjë e më e vështirë për të gjetur linjit vendor cilësor, pas shumë vitesh gërmime në minierat përreth kombinatit, ESM dy vite më parë filloi të importojë qymyr.

Në specifikacionin teknik të Sh.A. ESM shkruhet se “duke marrë parasysh përkeqësimin e cilësisë së qymyrit që pritet në periudhën e ardhshme, i cili mund të rrisë formimin e zgjyrës/skorjes apo papastërtive të tjera, si dhe të përkeqësojë më tej problemet aktuale me emetimet, në atë rast është e dobishme të shtohet si katalizator një agjent i bazuar në një përzierje të oksidit të magnezit dhe përbërjeve të bakrit.”

Sipas analizës të menaxhmentit të KXE Manastirit si pasojë e cilësisë së dobët të qymyrit, mesatarisht gjatë vitit ka të paktën 10 ndërprerje të blloqeve për shkak të spërkatjes së gypave. Humbja e llogaritur nga një ndërprerje, pra mosprodhimi i energjisë elektrike dhe rehabilitimi llogaritet në 745,700 euro. Prandaj, ata konkludojnë se kjo është një arsye e mjaftueshme për volitshmërinë e blerjes.

Ish-deputeti nga VMRO-DPMNE, Spiro Mavrovski, i cili ishte ndihmësdrejtor për prodhim në KXE Manastir, thotë se asnjëherë më parë nuk është përdorur aditiv për reduktimin e skorjes apo zgjyrës. Sipas tij, problemet me ndërprerjet e njësive janë shkaktuar nga qymyri i importuar jocilësor që përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

“Çdo bllok në botë është i ndërtuar për qymyrin që do të përdoret për tu djegur në të. Situata aktuale me importimin e qymyrit nga Greqia dhe veçanërisht nga Shqipëria ka shkaktuar padyshim probleme të mëdha. Të mos harrojmë se përdoret edhe mazut problematik në sasi më të madhe se e lejuara, për ta ndihmuar djegien dhe të gjitha këto së bashku shkaktuan aq shumë probleme dhe havari”, thotë Mavrovski.

Dyshime për korrupsion

Kompania shtetërore Sh.A. ESM vitin e kaluar ka lidhur 907 kontrata për prokurime publike në vlerë prej 148 milionë euro. Prej tyre, 373 kontrata në vlerë prej 76 milionë eurosh janë lidhur në procedura tenderuese në të cilat ka marrë pjesë vetëm një ofertues. Që do të thotë se më shumë se gjysma e tenderëve jepen pa krijuar mundësi për konkurrencë.

“Ne si organizatë prej vitesh kemi paraqitur dëshmi për mangësitë në punën e tyre në lidhje me prokurimin publik, duke i kritikuar për aplikimin e shpeshtë të procedurës me negociata pa publikim paraprak të shpalljeve, si dhe për kontratat që lidhen për angazhimin e punëtorëve dhe makinerive për gërmim të qymyrit, për të cilat nuk kanë asnjë justifikim ekonomik. Pas këtyre veprimeve fshihen dyshime për korrupsion”, thotë Sabina Fakiq – drejtoreshë programi në Qendrën për Komunikime Civile.

 Nga kompania shtetërore për IRL-në u përgjigjën se “të gjitha prokurimet publike të tenderuara nga Sh.A. ESM janë transparente konform ligjeve dhe rregullave”.

Në nëntorin e kaluar kompania “Braincode” ka lidhur një kontratë tjetër me Sh.A. ESM-në për blerjen e aditivit për parandalimin e ngrirjes dhe shkrirjen e akullit për KXE Manastir në vlerë prej 440.000 eurosh. Kompania e Maja Jordanovës ishte e vetmja ofertuese edhe në këtë shpallje.

Në këtë LINK janë dokumentet nga dosja e tenderit për prokurimin e aditivit për KXE Manastir.