Nebiu: Krenar Osmani më sulmoi me boks të hekurit, më tha kush je ti që shet pronat e huaja

Drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara, Driton Nebiu, kuadër i Aleancës për Shqiptarët, mbrëmë është sulmuar fizikisht në një restorant në Tetovë. Sulmi, sipas paraqitjes që e ka bërë në polici ka ndodhur nga Krenar Osmani, udhëheqës i grupit të tifo-grupit “Ballistët”. Nebiu thotë se nuk e njeh Osmanin, ndërkaq motivi sipas tij, mund të jetë ose për profesionin që ushtron ose për partinë, shkruan Portalb.mk.

“Asnjëherë s’kam pasur kurrfarë mosmarrëveshje e as që e njoh kush është, pastaj e kam kuptuar nga të punësuarit në restorant se kush është. Sigurt që ka diçka pas kësaj pune sepse privatisht nuk e njoh. Presim nga organet e rendit që sa më shpejtë të privohet nga liria sepse ai ishte sulm për të më eliminuar me jetë. Më sulmoi me boks të hekurit”, thotë Nebiu për Portalb.mk.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë person tjetër bashkë me atë, Nebiut thekson se nuk ka parë tjetër kë. Ndërkaq, i pyetur nëse ka sulmuar dikë tjetër, ai tha që pavarësisht se ishin 40 persona, Osmani e ka sulmuar vetëm atë.

“40 veta kemi qenë, vetëm mua më sulmoi. Kam qëlluar me bashkëpartiakë, por çka nëse nesër qëlloj të dal me familje dhe fëmijët. S’i kam askujt borxh, askujt s’i kam bërë dëm. Kjo tash nënkupton se unë nuk jam i lirë, nuk e di nesër se kush mund të më sulmojë”, shton Nebiu.

Sipas tij, Osmani ia ka përmendur edhe çështjen e profesionit, gjegjësisht postin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara.

“Ma përmendi dhe bërtiste kush je ti që shet pronat e huaja, kush je ti që merresh me VMRO-në. Unë nuk e di dhe nuk mund të konstatoj për çka ka ndodhur, por sulmi ka të bëjë ose për profesionin ose për politikën”, shton Nebiu.

Portalb.mk, ka tentuar të kontaktojë dhe Krenar Osmanin, por i njëjti nuk iu përgjigj thirrjes tonë telefonike dhe sms-porosisë.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur në ora 19:40, në një restorant në rrugën “Iliria” në Tetovë.

“Personi N.D. është sulmuar fizikisht nga K.O. nga Tetova. Po ndërmerren masat”, thuhet në njoftimin e mbrëmshëm, ndërkaq është paralajmëruar se do të ketë njoftim shtesë edhe gjatë ditës së sotme.

Incidenti, ndonëse ende nuk dihen zyrtarisht motivet, ka ndodhur në kohën kur lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari është në mosmarrëveshje të hapur me ish kryetarin e partisë, Ziadin Sela, për çështjen e koalicionimit në zgjedhjet e rregullta parlamentare të pranverës.

Nebiu, hapur mbështet Ziadin Selën, i cili mbrëmë kërkoi shkarkimin e Taravarit, ndërkaq Osmani, është mbështetës i Taravarit.