Në Zagreb jehuan këngë e valle me veshjet  e bukura të Rekës së Epërme si dhe u promovua libri etnografik i Zejna Halimit

Javën që  lamë pas në prefekturën e Zagrebit me organizim të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Velika Goric me kryetar Memetali Zenuni u promovuan dy libra të dy autoreve nga Maqedonia e Veriut si dhe u dha koncert, njofton Portalb.mk.

Fotografi nga mbrëmja kulturore në Zagreb
Fotografi nga mbrëmja kulturore në Zagreb

Në një ngjarje të organizuar në skenën letrare të Zagrebit, u promovuan dy libra të dy autoreve nga Maqedonia, Zejna Halimit dhe Sadije Aliti. Kjo ngjarje e  mbajtur kishte  për qëllim të prezantonte veprat e tyre të fundit dhe të promovonte punën e palodhur në sferën etnokulturore të Zejna Halimit .

Kopertine libri
Kopertine libri

Zejna Halimi përveç këngëve të mbledhura më herët së fundmi u botua me librin “Trashëgimia etnokulturore e Rekës së Epërme”, ndërsa po punon në librin e ri që pritet të dalë në dritë së shpejti. Ky libër u prit shumë mirë nga lexuesi i këtushëm dhe jo vetëm, pasi ftesa për tu promovuar dhe në shaqatat kulturore jashta vendit nuk kanë munguar.

Libri i saj i parë quhej “Tufëzim kengesh nga Reka e Epër”, “Ç’vojta këputa nji lul në bgjeshkë “ në vitin 2003.

Duke qenë dhe pjesë e Shoqatës “Reka e Epër” e cila u themelua ne vitin 2015, ajo u bë dhe një zë shtesë që vazhdimisht ftonte sytë dhe veshët për ata qe i kanë, për t’i kthyer të dëgjonin dhe shikonin nga një etnokulturë e rrallë, nga një histori që dhemb dhe që ngelet plaga jonë e hapur që kullon këngë dhe si e tillë u regjistrua në krijimtarinë e saj, ne librin e saj të dytë Trashëgimia etnokulturore e Rekës së Epërme.

Ajo gëzon një numër të madh miqsh, njerëz qe e nderojnë dhe e respektojnë, për shkak të kontributit që ka dhënë jo vetëm në sferën e etnokulturës, por edhe në rolin e gruas shqiptare dhe sferës së arsimit.

Kopertine libri
Kopertine libri

Ndërkaq, Sadije Alit, poete dhe profesoreshë ishte në qendër të vëmendjes me poezitë e përkthyera në gjuhën kroate  ”Proljeće Ljubavi- Pranverë Dashurie”.

Ngjarja u mbështet nga shumë miq, lexues, dhe personalitete kulturore të Zagrebit, të cilët shprehen të entuziazmuar nga kontributi i këtyre dy autoreve nga Maqedonia.

Kjo mbrëmje e bukur dhe emocionuese  përveç librit etnografik, poezive, këngëve flklorike,  këngë instrumentale me fyell e kavall nga mjeshtrit Emin Xhaferi i përcjell me gajde nga mjeshtëri  Adnan Aliu pati dhe performancë, valle  nga  grupi folkrorik “Reka e Epërme” që kënduan këngët e kësaj ane me veshjet  e bukura të Rekës së Epërme.