Gazetaria në RMV përballë shumë sfidave dhe krizave përfshi dhe dezinformatat, KE-ja radhiti ngecjet

Gazetaria është në krizë dhe përballë sfidave të shumta. Me një fjali kështu mund të përshkruhet vlerësimi i Komisionit Evropian në Raportin e vitit 2023 mbi në rrugën e RMV-së drejt integrimit evropian. Pavarësisht përparimit në pika të caktuara, vendi ka shumë detyra që duhet t’i përmbushë në lidhje me fushën e gazetarisë dhe mediave. Portalb.mk e analizoi Raportin për këtë fushë.

Sfidat sistematike që sipas Raportit mbeten për t’u adresuar janë polarizim i thellë mediatik, dhuna fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, kushtet e punës për punonjësit e medias, veçanërisht të drejtat e tyre të punës dhe sociale.

Në lidhje me dezinformatat në vend, raporti tregon se duhet të përmirësohen aftësitë e shkrim-leximi mediatik në të gjithë shoqërinë, pasi masat aktuale kundër dezinformimit nuk janë shumë efektive.

“Strategjia kombëtare dhe plani i veprimit për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe përballjen me kërcënimet hibride (2021-2025) përfshin masa për të adresuar dezinformimin dhe kërcënimet hibride. Megjithatë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin janë të kufizuara. Sektori audio-vizual vazhdoi të përfitonte nga pjesëmarrja e vendit në MEDIA dhe në fushat ndërsektoriale të programit Creative Europe”, thekson Raporti.

Në fushën e medias, RMV-ja ka bërë progres të kufizuar ndërkaq kushtet e punës për gazetarët mbeten sfiduese.

“Konteksti i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon raportimin kritik të medias”, thekson Raporti.

Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten ende në fuqi për vendin, edhe atë: duhet të rishikohet kuadri ligjor që rregullon median për ta sjellë atë në përputhje me acquis-in e BE-së dhe standardet evropiane si dhe përshpejtimi i zbatimit të strategjisë për reformimin e transmetuesit publik dhe finalizimin e emërimeve për këshillin e programit të transmetuesit publik dhe këshillin e rregullatorit të medias.

“Ligjet që përfshijnë funksionimin e medias duhet të zbatohen. Teknologjitë digjitale dhe ndërprerjet në tregun mediatik tregojnë nevojën për një strategji të përgjithshme për reformën e medias në bashkëpunim me të gjithë aktorët”, thekson Raporti.

Nënvizohet se në vitin 2022, Ministria e Brendshme regjistroi 17 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe hapi hetime. Ndërsa Shoqata e Gazetarëve regjistroi 14 incidente me gazetarë, nga të cilat 4 përfshinin sulme fizike ose ndalim të paligjshëm, dhe 11 përfshinin sulme verbale, kërcënime dhe forma të tjera të frikësimit.

Po në vitin 2022, Raporti thekson se Shoqata e Gazetarëve shprehu shqetësim të veçantë për gjuhën e urrejtjes dhe fyerjet e drejtuara ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias nga politikanët dhe mbajtësit e posteve të tjera publike. Numri i padive për shpifje dhe fyerje që përfshinin gazetarë ishte më shumë se dyfishi i numrit të vitit të kaluar, 54 raste në 2022 kundrejt 20 në 2021.

Media, gazetarë, gazetari. televizion, kamera, foto: Suad Bajrami
Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

“Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe shoqatat e mediave rregullisht i dënuan incidentet e tilla. Në shkurt 2023, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal duke rritur mbrojtjen e gazetarëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale”, tregon Raporti.

Theksohet se ngacmimet online dhe sulmet verbale vazhduan, veçanërisht në rrjetet sociale, me një rritje të rasteve ndaj gazetareve gra.

“Rastet e vjetra të sulmeve fizike ndaj gazetarëve mbeten të pazgjidhura”, thotë Raporti.

Gjithashtu në vitin 2022, Raporti thekson se Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias regjistroi shkelje të ndryshme të të drejtave të punës, veçanërisht numrin e lartë të kontratave afatshkurtra ose me kohë të pjesshme pa sigurime shëndetësore dhe shoqërore.

“Dialogu me qeverinë duhet të përmirësohet. Avokimi që synon përmirësimin e kushteve të punës në media pengohet nga sfidat ekonomike në këtë sektor. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur të drejtat, liritë dhe sigurinë profesionale dhe të punës së gazetarëve, veçanërisht duke forcuar kuadrin ligjor për punën e sindikatave”, thekson Raporti.

Kuadri ligjor që përfshin funksionimin e medias sipas KE-së duhet të përmirësohet më tej, në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare.

Raporti thekson se shqetësimet e ngritura nga shoqatat e medias në lidhje me reklamat politike të financuara nga shteti në media duhet të trajtohen në përputhje me acquis-in e BE-së dhe praktikat më të mira evropiane. Raporti thotë se nevojiten më shumë zgjidhje të qëndrueshme për të mbështetur qëndrueshmërinë e medias.

Nënvizohet se reforma e transmetuesit publik u vonua edhe më tej.

“Autoritetet duhet të sigurojnë fonde të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për transmetuesin publik. Nuk u gjet asnjë zgjidhje për shlyerjen e borxheve të vjetra të transmetuesit publik ndaj institucioneve shtetërore. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e transmetuesit publik, si financiarisht ashtu edhe ligjërisht”, thekson Raporti.

Gjithashtu thuhet se stabiliteti financiar dhe pavarësia e rregullatorit të medias duhet të forcohet.

Në vitin 2022, Reporti tregon se Këshilli i Etikës së Medias mori 78 ankesa për shkelje të standardeve etike.

Shoqatat e medias vazhduan të ngrenë shqetësime për integritetin e medias dhe pavarësinë editoriale, dhe treguan nevojën për një vlerësim të ndikimit e përqendrimit të pronësisë në pluralizmin mediatik.

“Ata vunë në dukje gjithashtu rrezikun që individët ose një grup pronarësh të mediave të kenë ndikim të tepruar në media. Mbështetje e mëtejshme nevojitet për zhvillimin e gazetarisë profesionale dhe hulumtuese. Pavarësia e medias duhet të mbrohet më tej. Nevojitet një vetërregullim më i fortë për mediat online dhe zhvillimit të standardeve profesionale për gazetarinë online”, tregon Raporti.

Theksohet se ka shumë pak gra drejtuese në mediat private dhe se nevojiten masa shtesë për të promovuar barazinë gjinore në industrinë e medias.

Mes tjerash theksohet se media vazhdon të përfitojë nga ndihma e rëndësishme e BE-së duke ofruar mundësi për t’u rritur dhe zhvilluar në një mjedis të favorshëm.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni KËTU.