Në Vinicë për herë të parë sot do të mbahet “Marsh i engjëjve”: Dënim me kusht nuk është drejtësi për 63 jetët e humbura

Në Vinicë sot për herë të parë do të mbahet “Marsh i engjëjve”, i cili organizohet në kujtim të viktimave në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, por edhe shprehje e kërkesës për të vërtetën dhe drejtësinë, kumtuan nga Shoqata për qytetarë “16 mars 2025” në Fejsbuk, njofton Portalb.mk.

“Marshi i engjëjve” në Vinicë do të fillojë nga sheshi “Angell Viniçki”. Tubimi është caktuar për në orën 16:45, ndërsa fillimi i marshit është paraparë për në ora 17:05.

Organizatorët thonë se marshi mbahet për shkak të 63 viktimave, pas të cilëve qëndrojnë jetë të ndërprera, ëndrra të parealizuara dhe familje që kanë mbetur pa të afërmit e tyre, ndërsa mbi 500 të lënduar dhe mbijetuar çdo ditë jetojnë me pasojat dhe traumat nga tragjedia.

“Marshojmë sepse për tragjedi të këtillë nuk guxon të ekzistojë përgjegjësi simbolike. Sepse dënim me kusht nuk është drejtësi për 63 jetët e humbura dhe qindra familje të shkatërruara. Heshtëm mjaftueshëm. Tani flasin engjëjt përmes nesh. Ata ecin përmes nesh”, thuhet në kumtesën nga Shoqata e qytetarëve “16 mars 2025”.

Nga atje shtojnë edhe se qëllimi i marshit është që të mos lejohet përsëritje e tragjedive të ngjashme dhe të sigurohet drejtësi e vërtetë për viktimat.

Kujtojmë se Gjykata Themelore Penale në Shkup më 5 maj i shpalli fajtorë tre zyrtarët policorë – Kire Bogatinov, Goran Lazarov dhe Aleksandar Temelkov – në lidhje me rastin e të ashtuquajturit kabare “Puls”.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.