RMV, Studentët shqiptarë kërkojnë mbështetje për respektimin e së drejtës së tyre për të folur shqip

Studentët shqiptar sot përmes video-thirrjeve kërkojnë mbështetje për respektimin e së drejtës së tyre për të folur shqip, njofton Portalb.mk.

Studentët përmes video-thirrjes kërkojnë nga të gjithë qytetarët e profesorët që t’i mbështesin në protestën e paralajmëruar për më 18 maj në Shkup me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

“Të dashur prindër, profesorë, arsimtarë, nxënës dhe qytetarë, kjo protestë nuk është kundër askujt. Kjo është protestë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit tonë dhe respektimin e Kushtetutës e Ligjit. Na u bashkëngjitni që bashkë të mbrojmë të drejtën që na takon dhe amanetin që do t’ua lëmë brezave që vijnë. Të hënën, më 18 Maj, në ora 16:30, duke filluar nga Ura e Gurit në Shkup, hajdeni të protestojmë bashkë”, thuhet në video-thirrjen e studentit.

Studentët për protestën e të hënës këtyre ditëve po marrin mbështetje nga shumë  figura të ndryshme si nga jeta politike, ashtu edhe kulturore në të gjithë hapësirën shqiptare.

Nga ana tjetër, Qeveria vazhdoi me premtime se së shpejti pritet zgjidhje e çështjes së provimit të jurisporodencës në gjuhën shqipe. Përkrahja ndaj studentëve edhe pse ka marrë jehonë të madhe në vend dhe rajon, ajo mungon nga eksponentët e VLEN-it të cilët janë në Qeveri.

Protesta e 18 majit, vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore, përfshirë edhe protestën e mbajtur më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe.