Në territorin e RMV-së ka tre zjarre, dy janë aktiv dhe një nën kontroll
Sot deri në orën 12:00, në territorin e Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 3 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilëve 2 janë aktive, 1 nën kontroll dhe asnjë i shuar, transmeton Portalb.mk.
Zjarret aktive ndodhen në Komunën e Brodit– Parku Kombëtar Jasen ku digjet pyll i përzier dhe në Komunën e Strumicës – f. Saraj ku digjen mbeturina.
Ndërkohë nën kontroll është zjarri në Komunën e Resnjës – f. Dupeni i poshtëm ku digjet pyll me dushk dhe bimësi e ulët.
Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe sivjet vendi përballet me shumë zjarre në pyje.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Kjo, sipas shërbimit për media të Qeverisë, po bëhet me qëllim që të ofrohet ndihmë në kohë për të gjitha zonat e prekura dhe për të mbrojtur popullsinë nga elementët e zjarrit.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).