Në takimin e Iranit dhe Turqisë, Gaza si emërues i përbashkët

Presidenti Iranian Ebrahim Raisi filloi sot një vizitë në Turqi gjatë të cilës do të mbajë bisedime me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Tema kryesore e agjendës së tyre do të jetë lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, por sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës nga Stambolli Dorian Jones rivaliteti mes Ankarasë dhe Teheranit vazhdon ndërsa dyja vendet po garojnë për të shtrirë ndikimin e tyre në Kaukaz dhe Siri.

Turqia mbështeti fuqishëm palestinezët gjatë operacioneve ushtarake të Izraelit kundër Hamasit. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e përshkroi Hamasin si lëvizje çlirimtare. Analistët thonë se Presidenti iranian Ebrahim Raisi shpreson të ndërtojë marrëdhënie duke u bazuar në këtë qëndrim të përbashkët gjatë bisedimeve me Presidentin Erdogan në takimet në Ankara.

“Vizita e zotit Raisi në Turqi do të tregojë sërish se Irani ende dëshiron ta ruajë rolin e vet në Lindje të Mesme në përgjithësi dhe, në rastin e Palestinës, gjithashtu për të fituar përkrahje më të fuqishme edhe nga Turqia,” thotë analisti Huseyin Bagci nga Instituti për Politikë të Jashtme.

Në fillim të këtij muaji forcat turke të sigurisë arrestuan disa individë nën akuzat se po punonin për agjencitë izraelite të zbulimit duke spiunuar për palestinezët që jetojnë në Turqi.

Bastisjet dhe arrestimet, të cilave u është dhënë publicitet i gjerë në Turqi, u interpretuan si paralajmërim për Izraelin. Ato po ashtu nënvizojnë përkrahjen e Ankarasë për palën palestineze.

Deri më tani, Izraeli nuk i ka komentuar arrestimet.

Por vëzhguesit parashikojnë se Presidenti Erdogan do t’iu rezistojë thirrjeve të Presidentit Iranian për të suspenduar rolin e Turqisë si furnizues kryesor të karburantëve për Izraelin. Ata thonë se zoti Erdogan duhet të luajë një rol të kujdesshëm dhe të balancuar ndërmjet aleatëve arabë dhe Iranit.

“Sa më shumë që Turqia vepron krahas Iranit në këtë rast, aq më shumë do të humbë simpatinë në sytë e vendeve arabe. Kemi të bëjmë me një situatë shumë të rrezikshme për Turqinë. Turqia duhet balancuar disi,” thotë zoti Bagci.

Ndërkohë që udhëheqësit e Iranit dhe Turqisë janë të bashkuar në dënimin e veprimeve të Izraelit, disa analistë parashikojnë që zoti Erdogan do t’ia theksojë zotit Raisi rëndësinë që konflikti të mos zgjerohet.

Ankaraja ka shprehur shqetësim rreth sulmeve vdekjeprurëse me raketa ndërmjet Iranit dhe Pakistanit, një aleat i afërt i Turqisë. Irani dhe Turqia gjithashtu qëndrojnë në anë të kundërta të luftës civile në Siri, ku mbështesin palët kundërshtare. Analistët paralajmërojnë se mbështetja ushtarake e Turqisë për Azerbaixhanin, rival i Iranit, përbën edhe një pikë që ka nxitur tensione në marrëdhëniet dypalëshe dhe që ka gjasa të jetë temë diskutimi e dy udhëheqësve në Ankara.

“Duket se Irani ka disa shqetësime strategjike për shkak të bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Azerbaixhanit… Por Turqia gjithmonë ka propozuar që Irani të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi. Turqia kurrë nuk e ka përjashtuar Iranin, por Irani nuk ka përvetësuar një pikëpamje të këtillë,” thotë profesorja e marrëdhënieve ndërkombëtare nga Universiteti i Marmarës në Stamboll, Bilgehan Alagoz.

Gaza është tema kryesore në mendjen e dy presidentëve dhe tani për tani emëruesi i përbashkët i tyre. Me çështje tjera komplekse në Kaukaz dhe Azi, Ankaraja pritet të jetë vendi ku Turqia dhe Irani përpiqen të luajnë lojën e balancuar.