Në Shkup u protestua kundër qëndrimit injorant të autoriteteve ndaj dhunës dhe vrasjes së grave (FOTO)
Sot, në orët e pasdites është mbajtur protestë kundër dhunës së vazhdueshme në bazë gjinore. Protesta filloi para objektit të Ministrisë për Punë të Brendshme në Shkup dhe mbaroi në parkun “Gruaja luftëtare”, pasi shumë qytetarë shpalosën pankarta si “Asnjë më shumë!”, transmeton Portalb.mk.
Rrjeti “Stella” këtë protestë e kishte adresuar në drejtim të rënies kolektive të sistemit dhe qëndrimit injorant të autoriteteve, policisë, prokurorisë dhe gjykatave që lejojnë dhunën e vazhdueshme ndaj grave, duke çuar në femicide pavarësisht raportimit dhe thirrjeve për ndihmë dhe mbrojtje.
Përfaqësuesja e këtij rrjeti, Marta Stevkovska, kërkoi dorëheqje të zyrtarëve përgjegjës dhe fillim të procedurave disiplinore kundër policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe qendrave të punës sociale që nuk kanë vepruar ndaj raportimeve për dhunë dhe kërcënime në këtë dhe raste të ngjashme.
Më shumë foto në: https://flickr.com/photos/fosim/albums/72177720329135473/
Kalia Dimitrova nga portali feminist “Medusa”, theksoi se një nga problemet e kësaj natyre është edhe heshtja, stigma, turpi dhe mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë kolektive.
“Për më tepër, përveç mungesës serioze të koordinimit dhe shmangies së institucioneve përgjegjëse për trajtimin e dhunës ndaj grave, heshtja, stereotipet gjinore dhe diskriminimi, stigma, turpi dhe mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë kolektive gjithashtu kontribuojnë në femicid. Të kthyerit e kokës anash kur jemi dëshmitarë të dhunës dhe qëndrimi se “nuk është puna jonë” janë një tregues tjetër se sa shumë kontribuojmë të gjithë ne që dhuna jo vetëm të ndodhë vazhdimisht, por edhe të përshkallëzohet, dhe që abuzuesit të vazhdojnë të jetojnë të lirë dhe të lulëzojnë”, thonë nga Rrjeti ‘Stella’.
Thirrja për protestë ishte nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Vrasja e Rosicës dhe e të gjitha grave të vrara brutalisht nga partnerët e tyre aktualë ose të mëparshëm, thonë nga ‘Stella’, mund dhe duhej të ishte parandaluar, dhe ato duhej të ishin mbrojtur. Mirëpo, shtohet në thirrjen për protestë, pavarësisht raportimeve për dhunë dhe kërcënime për jetën e tyre nga partnerët e mëparshëm ose të tanishëm, përpjekjet e të gjitha grave të vrara për të jetuar të sigurta dhe të lira nuk janë dëgjuar.
“Në vitet e fundit, femicidi në vend ka mbetur një statistikë e zezë që paralajmëron për dështime sistemike dhe indiferencë sociale. Sipas të dhënave të disponueshme, vetëm në pesë vitet e fundit kemi humbur të paktën 20 gra si kulm i episodeve të përsëritura të dhunës me bazë gjinore. Në një mjedis të tillë, çdo grua që aktualisht përballet me ngacmime, dhunë, kërcënime dhe/ose ndjekje rrezikon të bëhet viktimë e femicidit nëse institucionet nuk veprojnë në kohën e duhur në interesin dhe mbrojtjen e saj”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se vetëm pesë ditë para se ta kryente vrasjen e dyfishtë të Rosicës dhe babait tës saj në Veles, 39-vjeçarit nga Shkupi, Ilija Stefanovski, gjykata ia ka shfuqizuar masën e ndalesës për tu larguar nga shtëpia dhe të paraqitet në polici me kërkesë të prokurorisë. Kjo ndodhi pasi gjykata e Velesit të mërkurën e kaluar e dënoi atë me një dënim me kusht prej 16 muajsh për rrezikim të sigurisë dhe dhunë, të cilën e ka kryer ndaj ish-të dashurës së tij, 31-vjeçares Rosica. Gjykata ia ka zgjatur ndalesën për t’ju afruar asaj. Por, Stefanovski e vrau Rosicën dhe babanë e saj 74-vjeçar dhe më pas u vetëvra.
Ndryshe, sipas Raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, zbatimi i Konventës së Stambollit mbetet sfidë. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Dhunës në Familje është miratuar në vitin 2021, por zbatimi i tij ende nuk është realizuar plotësisht. Kjo vuan nga mungesa e finacimit adekuat, si dhe për një Trup Kombëtar Koordinativ për Dhunën në Familje.
