Gruaja e vrarë nga Velesi e ka denoncuar disa herë vrasësin, institucionet dështuan

Vetëm pesë ditë para se ta kryente likuidimin e dyfishtë në Veles, 39-vjeçarit nga Shkupi, Ilija Stefanovski, gjykata ja ka shfuqizuar masën e ndalesës për tu larguar nga shtëpia dhe të paraqitet në polici me kërkesë të prokurorisë.  Kjo ndodhi pasi gjykata e Velesit të mërkurën e kaluar e dënoi atë me një dënim me kusht prej 16 muajsh për rrezikim të sigurisë dhe dhunë, të cilën e ka kryer ndaj ish-të dashurës së tij, 31-vjeçares Rosica. Gjykata ia ka zgjatur ndalesën për t’ju afruar asaj.  Por, Stefanovski dje e vrau Rosicën dhe babanë e saj 74-vjeçar dhe më pas u vetëvra, raporton Portalb.mk.

Gjykata Themelore e Velesit solli edhe aktvendim me të cilin mbetet në fuqi masa e kujdesit Ndalesë e afrimit ose mbajtjes së kontakteve ose lidhjeve me personat R. K. dhe I. M. për aq kohë sa është e nevojshme, ndërsa më së shumti deri në formën e prerë të aktgjykimit, ndërsa masa për kujdes dhe masa e ndalesës për tu larguar nga shtëpia ose vendqëndrimi i tij dhe detyrimi i të pandehurit që herë pas here të paraqitet te personi i caktuar zyrtar në ambientet e SPB Shkup, përkatësisht një herë në javë, shfuqizohet me propozim të Prokurorit Publik dhe pëlqimin e avokatit të mbrojtjes.

Ndërkohë Koceva e ka denoncuar Stefanovskin për moszbatim të vendimit gjyqësor dhe për sulme të reja. Ai i ka dërguar mesazhe, i është afruar shtëpisë së saj dhe i ka vënë flakën makinës së babait të saj. Prokuroria ka lëshuar ​​urdhër për mbledhjen e provave telefonike dhe video regjistrimeve. Paralelisht, ajo e ka denoncuar atë në Prokurorinë Publike të Shkupit për një ngjarje nga dhjetori i vitit 2024, kur ai ka tentuar ta mbyllte atë në një apartament dhe i ka shkaktuar lëndime. Stefanovski i është përgjigjur me një kundër-denoncim për kallëzim të rremë, i cili nuk është pranuar. Nga Prokuroria thonë se Stefanovski ka qenë edhe subjekt i një ekzaminimi psikiatrik.

Eksperti ka deklaruar se ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje mendore, se ka qenë i vetëdijshëm në kohën e kryerjes së krimit, se ka qenë i aftë ta kuptojë rëndësinë e veprimeve të tij dhe se tek ai nuk është regjistruar ndonjë obsesion patologjik apo fiksim patologjik ndaj palës së dëmtuar.

Të dhënat e policisë tregojnë për incidente të shumta midis Ilija Stefanovskit dhe Rosica Kocevës duke filluar nga fundi i vitit 2024 deri në verën e vitit 2025. Koceva e ka denoncuar për  ngacmim dhe sulm fizik në janar dhe mars, grafite kërcënuese dhe vënie të flakës të një makine në maj, për gjetjen e një USB-je me pamje intime në qershor dhe mosrespektim të një ndalese nga gjykata në korrik. Kundër Stefanovskit ka edhe një padi penale për dhunë në familje nga muaji dhjetor i vitit 2024, ndërsa ai ka bërë disa ankesa kundër Kocevës, për të cilat policia ka kryer biseda zyrtare.

Për fat të keq e gjithë kjo përfundoi tragjikisht dje rreth orës 15:30 kur Stefanovski shkoi në shtëpinë e Kocevës në Veles. Atje e gjeti vetëm babanë e Rosicës, të cilin e goditi për vdekje me thikë. Pasi nuk mundi ta kontaktonte babanë e saj në telefon, Rosica erdhi në shtëpi me partnerin e saj. Sapo hynë, Stefanovski menjëherë e sulmoi dhe i shkaktoi lëndime të shumta fatale me thike. Ajo vdiq në vend nga gjakderdhja. Pas krimit, Stefanovski u mbyll në njërën nga dhomat e shtëpisë dhe u vetëvra me thikë. Kjo tragjedi e tronditi Velesin dhe e rihapi dilemën se sa efektive janë masat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës nga partneri.