Në Prishtinë do të përurohet monografia dhe albumi muzikor “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”, me 16 krijime autoriale të tij
Nesër (24 shkurt) në Menzën Ramiz Sadiku në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00, do të përurohet monografia dhe albumi muzikor “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” me autorë Krenar Doli dhe Besart Vula, transmeton Portalb.mk.
Me anë të këtij aktiviteti do të përkujtohet krijimtaria artistike e Qamilit të Vogël në muzikë. Do të rifreskohen kujtimet me disa prej melodive të krijuara nga Qamil Muhaxhiri.
Qamili i Vogël me zërin e tij këmbues dhe me punën e tij të palodhur prej këngëtari, arriti që të bëjë për vete shumë adhurues të këngës tradicionale shqiptare.
Zëri i tij tingëllues, i ngrohtë, me melizmat e këndshme, sidomos për veshin e dashamirëve të këngës sonë qytetare, na shoqëroi për vite të tëra nëpërmes valëve të Radio Prishtinës, pllakave të gramafonit, audiokasetave dhe koncerteve të shumta publike. Kjo bëri që dëgjuesit e këngës së mirëfilltë shqiptare ta duan, ta çmojnë dhe ta nderojnë figurën e Qamilit si krijues dhe si këngëtar i jashtëzakonshëm.
Ai përhapi këngët tradicionale në çdo mes e në çdo rreth shoqëror. Si solist, së bashku me shokët e vet instrumentistë, e përhapi këngën jo vetëm në Kosovë, por edhe në Europë, Azi, Amerikë e gjithkund ku shkeli këmba e tij.
Në vitin 1967, formoi në Gjakovë grupin e njohur të këngëtarëve të muzikës popullore burimore “Ymer Riza”, e cila kultivoi më tej sidomos këngën tonë qytetare, pastaj atë shkodrane, tiranase, elbasanase etj.
Qamili i Vogël duke qenë edhe mbledhës dhe hartues i blejve me këngë tradicionale shqiptare (prej viteve 1957 deri më 1978) ishe këngëtari i parë kosovar që u interesua për regjistrimin e këngës tradicionale shqiptare në disqe gramafoni, libra, audiokaseta, koncerte etj, thuhet në librin “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”.

Recenzenti i librit profesori Albin Sadiku rreth këtij albumi ka thënë se “Botimi i kësaj monografie do ta pasurojë shkencën e etnomuzikologjisë shqiptare, pasi krijimtaria e Qamilit të Vogël është e mbushur me vuajtjen, skamjen, dashurinë, ëndrrat e lëna në mes, fitoret, por edhe me gëzimet që ëndrra e shqiptarëve të rrjedhë me begati dhe dashuri”.
Autori i librit Krenar Doli për Portalb.mk tha se nga i gjithë korpusi i Qamilit të Vogël, në këtë album kanë përzgjedhur 16 krijime autoriale të tij.
“Padyshim se një nga detyrat më të vështira të kësaj pune ishte përzgjedhja e materialeve muzikore të krijuara dhe të interpretuara nga Qamil Muhaxhiri që do të zënin vend në këtë album, sepse të gjitha materialet muzikore të krijuara prej tij ishin të mrekullueshme. Por duhet të theksojmë faktin se nga i gjithë korpusi i tij krijues, në këtë album kemi përzgjedhur 16 krijime autoriale të tij, redaktimi muzikor i të cilave është realizuar me kujdes nga Bestar Vula dhe Shpendi Rraci. Përveç usb-së, këto krijime të Qamilit të Vogël mund të dëgjohen në mënyrë digjitale, nëpërmjet kodit QR, që ndodhet në faqen të parë dhe të fundit të albumit”, tha Doli.
Doli gjithashtu theksoi se ky album u realizua me përkrahjen e bijës së Qamilit të Vogël dhe disa përkrahësve të tjerë.
“Albumi u realizua me lejen e bijës së tij, znj. Shqipe Muhaxhiri, të cilën se bashku me Bestarin dhe Shpendin gjejmë rastin ta falënderojmë dhe t’i shprehim mirënjohjen tonë të thellë. Gjithashtu një falënderim kemi për, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, e cila mbështeti financiarisht botimin e monografisë. Agrion SH.P.K që e mbështet financiarisht albumin muzikor. Shtëpinë Botuese “Artini” për botimin reprezentativ dhe cilësor dhe të gjithë ata persona që na u gjenden afër në ketë rrugëtim të bukur”, theksoi Doli.
Për të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar ky libër pritet të përurohet edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Së shpejti për ju do t’i bëjmë publike edhe datat e kryeqendrave shqiptare (Prishtinë, Shkup, Tiranë), ku do të promovohet “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”, ku zëri i tij jehoi dhe do të jehoj përherë”, tha Doli.
Për monografinë do të flasin Prof.asoc.dr. Bekim Ramadani dhe Prof.asoc.dr. Albin Sadiku.
Me pika artistike do të paraqiten: Jahja Shehu dhe grupi muzikor “Rilindja” nga Gjakova.
“Këngët qytetare gjakovare u kënduan në shumë hapësira shqiptare. Ato jo vetëm që u përkrahën, por edhe ndikuan në krijimin e një fryme të ngjashme të krijimtarisë, moralizuan masën e popullit, orientuan shijen e caktuar të mjedisit dhe nxitën nisma për festivale, si dhe për krijimin e këngëve të këtij karakteri.
Kënga qytetare gjakovare u bë inspirim i brezave të rinj, të cilët me ëndje e ruajnë origjinalitetin e asaj muzike duke ruajtur të gjitha specifikat, si: tonalitetin, ritmin, ornamentet dhe karakteristikat e tjera brenda këngëve”, thuhet në librin “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”.
