Në Maqedoninë e Veriut u mbajt tubim në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, “bota serbe” në aksion
Tubimi, i cili filloi sot në mesditë, u organizua nga shoqata “Paqe, Unitet dhe Stabilitet”. Disa qindra qytetarë që mbanin pankarta ku shkruhej se Kumanova dhe Shkupi janë me Vuçiqin, me flamuj serb dhe maqedonas që valëviteshin, me muzikë popullore serbe në sfond, dolën në një tubim në Kumanovë këtë pasdite për të shprehur mbështetje për Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shkruan Portalb.mk.
Organizatorja e tubimit është shoqata “Paqe, Unitet, Stabilitet”, duke dhënë mesazhin kryesor se nuk duhet të flitet për punë nacionaliste, por se si shoqatë, ata duan të përhapin dashuri, jo urrejtje.
Kur u pyet nga një gazetar nëse një ftesë i ishte dërguar edhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Sistemit Politik, Ivan Stoilkoviç përfaqësuesja e shoqatës Milena Veliçkoviç tha se nuk kishte informacion nëse kjo ishte e vërtetë.
Sot, në Serbinë fqinje, grupi joformal “Studentët në Bllokim” organizoi një tubim të madh në sheshin Slavija të Beogradit, ku akademikë, aktivistë dhe qytetarë të shumtë nga të gjitha anët e Serbisë kanë njoftuar praninë e tyre. Protesta qendrore është planifikuar për periudhën nga ora 18:00 deri në 20:00, por do të paraprihet nga tubime masive në katër vende kyçe në kryeqytet, nga ku kolonat e protestuesve do të drejtohen për në Sllavija.
Ndikimi i të ashtuquajturës “bota serbe” në Maqedoninë e Veriut vijon të ngre pikëpyetje mbi shtrirjen e agjendës politike serbe në vend.
Ky nuk është aktiviteti i parë i kësaj organizate, por tubimi në mbështetje të Vuçqit në Kumanovë, përkon me protestën e studentëve në Beograd të njoftuar për të njëjtën ditë.
Ky tubim vjen pas vizitës në RMV të kryetarit të Partisë Progresive Serbe (PPS), Milosh Vuçeviq, i cili e zëvendëson Aleksander Vuçiqin, nga koha kur ai u bë president i Serbisë. Ai u takua me kryeministrin dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskin.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzoi se vizita e Vuçeviqit në Maqedoni lidhet me, siç thonë ata, “shpëtimin e rrjetit mediatik të Orbanit” në vend. Nga LSDM-ja pretendojnë se në takim kanë qenë të pranishëm edhe konsulli i nderit i Maqedonisë në Serbi, Dushan Adamoviq, si dhe zëvendëskryeministri Ivan Stoillkoviq.
Nga VMRO–DPMNE nuk pati informacione më të detajuara për këtë takim, e as për atë se çfarë është biseduar në të.
Nga ana tjetër, profesori universitar, Mersel Bilalli, për Portalb.mk, lidhur me tubimin e së enjtes, ka deklaruar se me ardhjen e Gruevskit dhe vazhdimin e Mickoskit, VMRO-DPMNE-ja po shndërrohet në filiale të partisë së Vuçiqit (NNS).
“Por, duhet pasur parasysh se ndikimit serbë në Maqedoninë e Veriut i ka vdekur “babai”. Rrëzimi i Orbanit e lë jetim “botën serbe” si sinonim i Serbisë së Madhe. Jam i mendimit se edhe Vuçiqit i afrohet fundi dhe shumëçka do duhet të ndryshoj në rajon. Me këtë edhe VMRO do mbetet jetim i dyfishtë. Por ne duhet seriozisht të organizohemi sepse për momentin në rajon janë dridhjet e fundit të “botës serbe”, a mu këto kohë kërkojnë syçelësi. Jam i mendimit se protesta e radhës duhet të jetë për ndryshimet kushtetuese me qëllim hapjes së së kapitujve për bisedimet evropiane”, u shpreh Bilalli.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq. Kjo temë u hap edhe më 12 shtator 2025 me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit nga delegacioni serb dhe mesazhet që u përcollën.
Kujotjmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.
- LEXO: “Bota serbe” në terren, në Kumanovë organizohet tubim pro Vuçiqit
- LEXO: “Bota serbe” nuk është thjesht simbolikë, rrezikon shtetësinë dhe të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Maqedonia e Veriut nën hijen e “botës serbe” së bashku me “botën ruse”
- LEXO: Me krejt “të zezat” Dodik në Shkup mbajti fjalim kundër Bashkimit Evropian