BDI me akuza se brenda qeverisë ka instalacione të “botës serbe”, VLEN: BDI nuk ka kredibilitet të flasë për vlera perëndimore
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një reagimi me shkrim ka akuzuar se, brenda Qeverisë ka instalacione të “Botës Serbe”, të cilat në mënyrë publike dhe me kapacitet të plotë institucional, në emër të vetë Qeverisë, promovojnë dhe mbrojnë narrativat ruse në vend, transmeton Portalb.mk.
Reagimi i referohet zëvendëskryeministrit dhe ministrit për marrëdhëniet mes bashkësive, Ivan Stoilkoviq, i cili para tre ditësh ishte në pritjen e ambasadës ruse në Shkup, me rastin e Ditës së Rusisë.
Sipas tyre, ky veprim përbën një përplasje të drejtpërdrejtë me qëndrimet e NATO-s dhe me drejtimet e qarta të përcaktuara në deklaratat e miratuara me konsensus nga Këshilli i Aleancës Veri-Atlantike, për të cilat deri më sot kanë votuar rregullisht edhe përfaqësuesit tanë.
“Në fakt, mbrojtja nga manipulimet dhe ndikimet malinje ruse është identifikuar, verifikuar dhe vlerësuar nga vetë NATO si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj procesit të vendimmarrjes politike në vendet anëtare, dhe si rrezik serioz për unitetin e Aleancës. Republika e Maqedonisë së Veriut është zotuar ndaj aleatëve të saj që do të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat në mbrojtje nga këto ndikime, jo vetëm brenda territorit të vet, por edhe si partnere aktive në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej, nga BDI kanë akuzuar se, Stoilkoviq gëzon qartazi mbështetjen e kryeministrit Hristijan Mickoski për të gjitha veprimet e tij.
“Por në incidentin e fundit, Stoilkovik paraqiti Qeverinë duke qëndruar krah për krah me ambasadorët e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera partnere strategjike të tyre, por edhe me një numër të madh të instalacioneve vendore të botës serbe dhe ruse, në mbrojtje të agresionit rus ndaj Ukrainës. Edhe në këtë rast, Kryeministri u shfaq në rolin e relativizuesit të këtij trendi të rrezikshëm, duke u vënë sërish në mbrojtje të të preferuarit të tij në Qeveri. Qëndrimi aktual i Qeverisë paraqet një precedent të rrezikshëm, përmes të cilit po tentohet “normalizimi” i një ndryshimi të politikës zyrtare të shtetit , me synimin për t’u larguar nga orientimi i qartë euroatlantik dhe për t’iu afruar qendrave alternative të fuqisë politike, të udhëhequra nga Pekini dhe Moska”, kanë thënë nga BDI.
Pas kësaj komunikate, Koalicioni VLEN ka dal me kundër – reagim, duke thënë se, ka qenë pikërisht BDI ajo që ka themeluar “ndikimet lindore” në vend.
“Ishte Bujar Osmani, si ministër i Jashtëm, që hapi qiellin për vizitën e Sergej Llavrovit në Shkup, një gjest i paprecedentë që e turpëron çdo pretendim për politikë perëndimore. Ishte po ai që mbante takime të rregullta me përfaqësues të Rusisë dhe Serbisë, në mënyrë të fshehtë dhe larg syve të publikut. Po kujtesa historike nuk na tradhton: ishte vetë Ali Ahmeti ai që në “Shën Naum” u fotografua në shoqëri të Aleksandar Vuçiqit, me buzëqeshje të ngrohta dhe asnjë ndjeshmëri për të kaluarën e përgjakshme të Beogradit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Preshevë etj. E nuk ndalet me kaq. Përmes Artan Grubit, BDI ka ndërtuar lidhje të errëta me rrjetet e nëntokës serbe në industrinë e kazinove dhe lojërave të fatit, një industri që shpeshherë kanalizon ndikime kriminale e politike nga Serbia në vendin tonë”, kanë thënë nga VLEN.
Prej atje kanë shtuar se, BDI nuk ka më asnjë kredibilitet të flasë për perëndim, pasi “ka përdorur këtë rrugë si mbulesë për pazare të pista, për lidhje të dyshimta dhe për shitjen e interesave të shqiptarëve në këmbim të kolltuqeve”.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve dje – nëse sjellja e Stoilkoviqit mund të pengojë marrëdhëniet tona bilaterale me vendet perëndimore, tha:
“Qëndrimi i Qeverisë është shumë i qartë në lidhje me agresionin rus, i pandryshuar dhe i saktë. Gjithashtu, prania e Izet Mexhitit në Odesa është një konfirmim i qartë, kështu që askush nuk duhet të ketë absolutisht asnjë dilemë”, tha Mickoski.