Në Maqedoninë e Veriut u formula Këshilli Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë

Me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u formula Këshilli Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë. Ky Këshill do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria miratoi Vendimin për formimin e Këshillit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë, që parashikon një hallkë shtesë në majë të strukturës koordinuese, krahas Komisionit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë si organi më i lartë ekspert”, njoftoi Fetai.

Fetai vlerësoi se ky Këshill është një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për të sulmuar krimin financiare.

“Anëtarë në Këshill do të jetë ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, Prokurori i Përgjithshëm i RMV-së, Kryetari i Gjykatës Supreme të RMV-së, drejtuesi i Zyrës për kthim të pronës, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, drejtori i Doganës, drejtori i Policisë Financiare, drejtori i Agjencisë për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar dhe Kryetari i Komisionit Kombëtar për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë”, sqaroi Fetai.

Ndryshe, në seancën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që u mbajt më 17 qershor, u miratua Strategjia e re dhe Plani i veprimit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, një strategji për periudhën 2025-2028.

Në muajin prill Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara nuk e di se sa kushtojnë veturat e sekuestruara, nuk mban shënim se ku ndodhen dhe kur i shet nuk i dërgon të gjitha paratë në Buxhet, por një pjesë e ka shpenzuar vetë.

Në dhjetë vjetët e fundit, buxheti i Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për më shumë se 244 milionë euro, duke përfshin 30 raste të profilit të lartë të gjyqësorit. Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata të konfiskojë pronën e dhjetëra të akuzuarve në vlerë prej 62 milionë eurosh, ndërsa gjykata ka miratuar konfiskimin në 5 çështje me vlerë 49 milionë euro. Apartamentet e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, ende presin vendimin e Qeverisë.