Në Koçan u mbajt “Marshi i Engjujve” për viktimat e zjarrit
Pasditen e sotme, duke filluar nga parku i qytetit, në Koçan u mbajt “Marshi i Engjëjve”, i cili u udhëhoq nga prindërit e atyre që vdiqën në zjarrin e madh që ndodhi në diskoteken Pulse, ku vdiqën 62 të rinj, transmeton Portalb.mk.
Prindërit marshuan duke kërkuar drejtësi me fotografi të fëmijëve të tyre, heshtje dhe lot.
Qytetarët lëvizën nga parku drejt qendrës tregtare, komunës dhe më pas në stacionin e policisë, gjykatës dhe prokurorisë.
Marshi u mbështet edhe nga lëvizja “Kush është i radhës?”, e cila ka organizuar edhe protesta ku kanë kërkuar drejtësi për këtë rast dhe tragjeditë tjera.
Nga Prokuroria Publike njoftuan sot se përmes deklaratave të dhëna para prokurorit publik, familjarët e viktimave do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre si palë të dëmtuara dhe të bashkohen me ndjekjen penale.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Një hetim është duke u zhvilluar kundër 68 individëve dhe tre personave juridikë për tragjedinë që tronditi të gjithë vendin. Akuzat pritet të ngrihen nga mesi i qershorit.