Në Facebook po shpërndahet një njoftim i rremë për transport publik falas në Shkup, NQP: qytetarët të mos bien pre e mashtrimit

Një faqe e dyshimtë në Facebook sot publikoi një përmbajtje të rreme, ku thuhet se Ndërmarrja Publike e Transportit “Shkup” u ofron qytetarëve një kartelë transporti në numër të kufizuar, me të cilën, për vetëm 120 denarë, do të mund të marrin gjashtë muaj transport publik falas në kryeqytet, shkruan 360 shkallë, transmeton Portalb.mk.

Përmbajtja është publikuar në faqen e Facebook-ut të quajtur “Javen prevoz Skopje”, ndërsa që bëhet fjalë për tentim për mashtrim mund të vërehet edhe nga arsyeja që JSP “Shkup” gjoja e ofron këtë kartelë transporti.

 

Printscreen nga publikimi i rremë në Facebook
Printscreen nga publikimi i rremë në Facebook

“Me rastin e 80-vjetorit, NQP Shkup ofron kartelë transporti me sasi të kufizuara. Shijoni transport falas për 6 muaj për vetëm 120 denarë! Fitoni një kartë të re dhe përdorni të gjitha llojet e transportit në Shkup dhe rrethinë pa kufizime për vetëm 120 denarë për 6 muaj! Nxitoni, do të ketë vetëm 500 kartela unike me këtë çmim special!”, thuhet në postim.

Në fakt, NQP “Shkup” nuk shënon jubileun 80-vjeçar. Nëse do të ishte ashtu, kjo do të nënkuptonte se ndërmarrja është themeluar në vitin 1945.

Por, nga historia e ndërmarrjes, e cila mund të lexohet edhe në faqen zyrtare të NQP “Shkup”, qartë qëndron se ajo është themeluar në vitin 1948 dhe jubileun 80-vjeçar do ta festojë pas tre vitesh, pra në vitin 2028.

Për më tepër, në faqen e rreme të Facebook-ut është vendosur një link, për gjoja më shumë informacione.
Qytetarët që do të hasin në këtë postim në asnjë rast nuk duhet ta hapin linkun e dhënë.

Gjithashtu, përveç pjesës tekstuale, në postim është publikuar edhe një fotografi me kartelën “Skopska”, mbi të cilën shkruan “6 muaj falas”, që është falsifikim i dukshëm.

Ndërkohë, për faqen e Facebook-ut “Javen prevoz Skopje” sot reagoi edhe NQP “Shkup” përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në këtë rrjet social.

Ata thonë se nuk kanë asnjë lidhje me këtë faqe të rreme, e cila, siç theksojnë, e keqpërdor emrin e Ndërmarrjes Publike të Transportit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e postimeve të rreme.

Ndërmarrja Publike e Transportit ‘Shkup’ nuk ka asnjë lidhje me këtë faqe në Facebook, as me aktivitetet që ajo i zhvillon, edhe pse në disa raste shpërndan përmbajtje tona për të krijuar përshtypjen se është e lidhur me ne. Pikërisht për këtë arsye duam ta njoftojmë publikun të mos mashtrohet nga faqe të tilla të rreme dhe statuse të rreme në rrjetet sociale, të cilat kanë një qëllim të vetëm – të dëmtojnë punën e Ndërmarrjes Publike të Transportit”, thuhet në njoftimin e JSP “Shkup”.

Nga ndërmarrja shtojnë se faqja e rreme dhe përmbajtja e publikuar tashmë janë raportuar në Facebook si mashtrim, si dhe se NQP “Shkup” do të ndërmarrë masa të duhura sipas dispozitave ligjore pas analizës së plotë të rastit.