Nuk ikin për para, po për ta rikthyer dinjitetin që na e ka nëpërkëmbur politika

Kohëve të fundit e zëmë veten duke folur për të ikur nga ky vend dhe jo të ikim për para, por të ikim për ta rikthyer dinjitetin që na e ka nëpërkëmbur politika. Kur të punëson politika, kush të bind se ti atë vend e ke fituar ndershmërisht në një garë me dhjetë të tjerë. Nga do ta dish sa vlen ti?! Kush je ti? Ta ka topitur shpirtin e garës ky vend. Ta ka shembur shpirtin rebel. Intelektual nuk të bën diploma, por zëri që ngre sa herë në kohë krizash morale.

Xhemazije Rizvani, foto nga arkivi personal
Shkruan: Xhemazije Rizvani. Foto nga arkivi personal

Vajza e djem me mesatare të lartë studimi ikin dhe bëjnë punë të thjeshta e të ndershme. Pse? Sepse kanë parë që si fëmijë, se meritokracia s’pi ujë këtu. Këtu funksionon ligji i xhunglës ku më i forti është një i paditur që vihet në krye të krejt të tjerëve. Dinë dhe heshtin, ata që s’mund të heshtin ikin. Ikin gjetkë. Tashmë duke ditur fajtorin. Politika është fajtori. Ajo politikë që nuk të bën konkurrues në asgjë. Pse të jesh më i miri dhe të japësh mund kur fare lehtë ai që s’përpiqet as një grimë ta kalon ty?! Në shkollë, në spital, në universitet, në bankë, në vendin tënd të punës, kudo. Të humb vetëvlerësimi, ti nuk e di më sa vlen dhe nëse vërtetë vlen. Rozafa Etemi një vajzë që e re që kishte qenë vizitore e Amerikës në një program studimi në solo- këndim ishte kthyer e rilindur duke thënë: ” atje pashë se vleja” .

Omer Xhemaili kardo-kirurgu i famshëm në Zvicër leksionin në një universitet të Shkupit e nisi me fjalitë: “ Gëzohem që kam rastin të mbaj një ligjëratë në universitetin ku nuk më pranuan të punoj për arsye politike”, raste të ngjashme ka pa fund, shembuj të tillë gëlojnë nëpër botë. Duhet të shkosh e të peshohesh sa vlen në një sistem të cilit i beson, të cilin nuk e dimë si duket se kurrë nuk i kemi shërbyer. Ne nuk u besojmë kritereve tona, sepse lobojmë interesin, mikun, të njohurin. ” I joni është, duhet përkrahur ” , “militant i partisë tonë është , aktivist fushate dhe artist” . Disa nga ata që meritojnë famën janë strukur qosheve dhe po presin të kaloj ky makth, duke parë barbarët. Këtu miku të merr në qafë or miq, pasi të merr mirë politika. Miku që të bën një gjysmë- mjek, një gjysmë- mësues, një gjysmë- arkitekt, një gjysmë- profesionisti ose as aq. Sistemi i kalbur, të gjitha i ka të kalbura. Secili gënjen secilin. Profesorë që i kalojnë nxënësit “me të njohur” dhe dihet, në fund mali e pëson nga sëpata që ia jep bishtin. Me të njohur kalojnë projektet e kulturës, të arsimit, me të njohur realizohen, me të njohur vlerësohen dhe me po ato kritere zbehen në asgjë. Asgjë s’ le shenjë.

Të gjithë gënjejnë të gjithë: “Je shumë i mirë” , “sa vepër e bukur” , ” i ke rënë pikës” , “përse nuk shkruan më shumë” , ” je një artist i vërtetë” , ” Je filozof në pikturë” , “sa i madh je zotërote…”

Me të njohur bëhen mjekë dhe të heqin gjirin gabimisht, pastaj të kërkojnë të falur, të mjekojnë gabimisht, vdes papritmas gabimisht. Dhe kështu , ai mjeku i mirë, ai mësuesi i mirë , juristi e ekonomisti dorëzohen kur shohin me ç’kolegë rrethohen, ata ndihen të pafuqishëm të vetëm të bëjnë ndryshimin. Me të njohur punësojnë dhe nxjerrin nga puna. Asgjë nuk u duket se ka vlerë. Relative gjithçka. Në një thes gjithçka. Barazohet i miri dhe i keqi. Nuk gëzohesh as kur fiton, as kur shpallesh më i miri. Nuk beson më në asgjë. Dhe si ajo lulja që kur nuk lulëzon kërkon t’ia ndërrojmë vendin, ashtu dhe ata pa sfida kërkojnë të ndërrojnë llumin ku janë katandisur që të lulëzojnë, të ndihen gjallë dhe me elan. Qeveria e Maqedonisë ofron 1 milion euro për mërgimtarët që dëshirojnë të hapin biznese në Maqedoni, ndërsa i ftoj që në qeveri ta shohin bashkërisht filmin” Ofertë e ndyrë” që propozimit t’i shtojnë dhe pak romantikë. Dikur kolonizoheshin vende tjera për ta rilindur atdheun, ashtu siç ishte periudha më e ndritur shqiptare e Rilindjes Kombëtare, iknin dhe dërgonin ndonjë ” dallëndyshe” për “të fala nanës”. Por, sot nisen pa ideale të mëdha kombëtare, për të kërkuar të drejtën themelore njerëzore, pak dinjitet o shok, o vëlla! Ata shkojnë në një vend ku çdo vit politikat ndërrojnë, ku vlerësohet më i miri, secili e di vendin e vet ku përket dhe përpiqet çdo ditë se përpjekja na bën të vazhdojmë, të mos ndalojmë për ku jemi nisur. E nëse, për sa mbajmë mend për veten, asgjë në jetën tonë s’ ndërron, atëherë doemos do të lëvizim, ne nuk jemi pemë. Gjithçka që s’lëviz fillon e mban erë, kalbet. Gjithçka që kalbet vdiret.

Propozoj që në fushata politika të krijojë strategji të reja për të na dhënë më shumë arsye të qëndrojmë. Të na japë arsye të shëndosha të rikthehemi, përpara se të na ofrojë oferta të ndyra parash . Para mund të fitojmë çdo kund, por vertikalja njerëzore mbahet me dinjitet. Secilit t’i kthehet çka i është mohuar!