Ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Armiqësore, antidemokratike dhe antievropiane, reagoi MMPT (Video)

Ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Zgjedhor nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut janë armiqësore ndaj nismave qytetare të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje, ky veprim është diskriminues dhe antidemokratik. Kështu ka reaguar sot nisma qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT) në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, shkruan Portalb.mk.

Më Mirë për Tetovën thekson se ndryshimet e reja ligjore e zvogëlojnë hapësirën e veprimit të iniciativave të pavarura qytetare, dhe i detyrojnë ata që të organizohen në formë të partive politike.

Agron Arifi thekson se izolimi i iniciativave të pavarura qytetare nga aktiviteti politik është vepër antidemokratike dhe diskriminuese.

“Këta ndryshime ligjore e risin pragun për mbledhje të nënshkrimeve për listat e pavarura qytetarë, dhe e vështirësojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Partitë politike thirren në rekomandimet e OSBE/ODIHR për demokratizim dhe barabarësi në zgjedhje, ndërsa me këto ndryshime bëhet e kundërta: iniciativat qytetare diskriminohen në dobi të partive politike”, tha Arifi.

MMPT drejton gishtin se fajtorë për këto ndryshime janë partitë politike si nga pushteti po ashtu edhe nga opozita: LSDM; BDI, VMRO, ASH dhe koalicioni VLEN.

“Ndryshimet e reja ligjore i detyrojnë iniciativat qytetare në qytetet e mëdha si Tetova, të mbledhin 850 nënshkrime, që është gati se e barabartë me numrin e nënshkrimeve për formim të një subjekti politik, për të cilën nevojiten 1000 nënshkrime. Ky kushtëzim është i papranueshëm, skajshmërisht diskriminues dhe veprim anti evropian”, tha Arifi.

Ata kërkuan ndryshime ligjore si vijon:

  1. Më së shumti 50 nënshkrime për kandidatët e pavarur
  2. Të lejohet mbledhja e nënshkrimeve në teren dhe jashtë zyrave të KSHZ
  3. Të zgjatet periudha e nënshkrimeve në 30 ditë
  4. Të lejohet emri i listës së pavarur në fletën e votimit
  5. Të lejohet qasja e të pavarurve në listën zgjedhore.

Në lidhje me këtë problematikë javën e kaluar reaguan edhe një grup i përbërë nga aktivistët e pavarur dhe anëtarët e këshillave.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 7 mars, në seancën e 147-të, me procedurë të shkurtuar, me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar.

Këto ndryshime ndikojnë në pjesëmarrjen e mundshme të kandidatëve të pavarur në proceset e ardhshme zgjedhore. Me ndryshimet, në vend të 1.000 nënshkrimeve të votuesve të regjistruar në një njësi zgjedhore konkrete, kandidatët për postin e deputetit do të duhet të sigurojnë të paktën një përqind të nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në njësinë zgjedhore ku ata konkurrojnë.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.