RMV, në zgjedhjet presidenciale do të mund të votohet me dokument të vjetër nga korriku i vitit 2023, ndërsa në parlamentare nga gushti i vitit 2023

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve informoi se në pajtueshmëri të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, në listën zgjedhore regjistrohen të gjithë qytetarët me 18 vite të mbushura përfundimisht me ditën e zgjedhjeve të cilët kanë vendbanim në territorin e Republikës së Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Këto të dhëna për qytetarët dorëzohen deri te KSHZ-ja nga ana e MPB-së.

Në pajtueshmëri të dispozitës së përkohshme nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor e cila do të zbatohet vetëm për zgjedhjet në vitin 2024, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose mе pasaportë vlefshmëria e të cilaве ka skaduar në periudhën prej 9 muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Kjo, siç njofton KSHZ-ja, do të thotë konkretisht se:

1. Në zgjedhjet presidenciale do të mund të votojnë shtetasit të cilëve dokumentet personale u kanë skaduar për çfarëdo arsye (me ligj ose për shkak të afatit) nga data 24.07.2023 deri në ditën e zgjedhjeve më 24.04.2024;

2. Në zgjedhjet parlamentare do të mund të votojnë shtetasit të cilëve dokumentet personale u kanë skaduar për çfarëdo arsye (me ligj ose për shkak të afatit) nga data 08.08.2023 deri në ditën e zgjedhjeve 08.05.2024.

Përndryshe, përfundimisht m ditën e djeshme në njësitë rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kontroll të të dhënave të tyre në listën zgjedhore kanë bërë 4.527 persona. Shtatë persona kanë paraqitur kërkesë për
ndryshimin e të dhënave të tyre, 13 persona kanë paraqitur kërkesë për regjistrimin e të dhënave të tyre dhe 5 persona kanë paraqitur kërkesë për fshirje të të dhënave në Listën Zgjedhore.

“Gjithsej 13.056 qytetarë janë kontrolluar në mënyrë elektronike deri më 13 mars 2024. Janë dorëzuar 24 kërkesa për ndryshim të të dhënave, 5 kërkesa për fshirje të të dhënave dhe 9 kërkesa për regjistrim të të dhënave në Listën Zgjedhore. Sa i përket kërkesave të pranuara për regjistrim të votuesve në diasporë, ju njoftojmë se deri më tani janë pranuar gjithsej 1288 aplikacione, prej të cilave 887 janë pranuar, 137 janë refuzuar dhe 264 nuk janë proceduar. Vërejmë se këto të dhëna janë të disponueshme për publikun në ueb faqen www.dijaspora.sec.mk”, informojnë nga KSHZ.

Inspektimi publik në Listën zgjedhore, si dhe ndryshimi, regjistrimi dhe fshirja e të dhënave nga qytetarët mund të bëhet jo më vonë se data 18 mars 2024, ora 24:00.

KSHZ apelon qytetarët të kryejnë inspektimin në Listën zgjedhore, gjegjësisht në qoftë se është e nevojshme të kërkojnë ndryshim, regjistrim ose fshirje të të hënave të tyre nga Lista zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ta bëjnë në afatin e caktuar.