Kandidatët e pavarur me reagim ndaj ndryshimeve në Kodin Zgjedhor: me një procedurë të shkurtuar partitë e bllokuan pjesëmarrjen tonë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme

Një grup i përbërë nga aktivistë të pavarur dhe anëtarë të këshillave reagojnë ndaj ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që javën e kaluar u miratuan në Kuvend me një procedurë të shkurtuar dhe që parashikojnë ndryshime që ndikojnë në pjesëmarrjen e mundshme të kandidatëve të pavarur në proceset e ardhshme zgjedhore. Me ndryshimet, në vend të 1.000 nënshkrimeve të votuesve të regjistruar në një njësi zgjedhore konkrete, kandidatët për postin e deputetit do të duhet të sigurojnë të paktën një përqind të nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në njësinë zgjedhore ku ata konkurrojnë, raporton 360shkallë, përcjell Portalb.mk.

Kandidatët e pavarur, siç thonë në njoftimin e sotëm, “në mënyrë tinëzare dhe pa konsultime dhe diskutime publike, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, partitë më të mëdha politike me pretekstin për t’i ndihmuar qytetarët pa dokumente të vlefshme miratuan amendamente të fshehura shtesë në Kodin Zgjedhor, kështu që praktikisht i eliminuan kandidatët e pavarur dhe u pamundësuan atyre që të marrin pjesë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme në nivel lokal dhe kombëtar”.

“Të dorëzuara nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së dhe me mbështetjen e heshtur të të gjithë të tjerëve, ndryshimet e rrisin pragun e nënshkrimeve të nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhje, nga 1.000 nënshkrimet aktuale në një përqind të votuesve të regjistruar”, thuhet në njoftim.

Nga atje përkujtojnë se e njëjta përbërje parlamentare ka tentuar ta zbatojë një ndryshim të tillë edhe para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 për të eliminuar një pjesë të madhe të kandidatëve të rinj të pavarur, por kjo tentativa është bllokuar nga një numër i madh amendamentesh.

Grupi i aktivistëve të pavarur dhe anëtarëve të këshillave në mbarë Maqedoninë kërkojnë që menjëherë të hiqen, siç thonë,  kushtet absurde për mbledhjen e nënshkrimeve të kandidatëve të pavarur në zgjedhje.

“Të vendoset kusht prej maksimum 50 nënshkrimesh të mbledhura për një kandidat të pavarur, të lejohet mbledhja e nënshkrimeve në terren dhe jashtë zyrave të KSHZ-së, të zgjatet periudha e mbledhjes së nënshkrimeve në 30 ditë, të lejohet emri i listave të pavarura të këshilltarëve të shënohet në tërësi në fletat e votimit dhe t’u mundësohet qasje e  të pavarurve në listat zgjedhore”, janë kërkesat e shënuara në reagim.

Këto ndryshime, shtojnë të pavarurit, duhet të bëhen menjëherë, me një procedurë të shkurtuar, ashtu siç u bënë javën e kaluar ndryshimet për bllokimin e kandidatëve të pavarur.

Në reagimin e tyre kandidatët e pavarur e kanë shënuar edhe numrin e saktë të nënshkrimeve që do të duhet t’i mbledhin në çdo njësi zgjedhore.

“Në Njësinë Zgjedhore (NjZ) 1, në vend të 1.000 nënshkrimeve të nevojshme deri më tani, me amendamentet e miratuara, të pavarurve do t’u duhen 3.372 nënshkrime që të mund të dorëzojnë një listë të pavarur. Sipas numrit të votuesve të regjistruar, për NjZ 2 të pavarurit do të duhet të mbledhin 2.408 nënshkrime, për NjZ 3 – 3.005, për NjZ 4 – 2.945, për NjZ 5 – 3.395 dhe për NjZ 6 – 2.486 nënshkrime” thuhet në njoftim.

Këto ndryshime, shtojnë ata në reagim, i pamundësojnë të pavarurit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

“Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, në qytetin e Shkupit ishin të regjistruar 467.373 votues, nga të cilët votuan vetëm 229.531. Nëse i marrim rezultatet e zgjedhjeve ku një këshilltar nga lista e pavarur është zgjodhur me 4.611 vota, rezulton se më shumë nënshkrime do të nevojiten për pjesëmarrje, sesa për të fituar një vend këshilltari në zgjedhje. Për një listë të pavarur të kandidatëve për anëtarë të këshillit, gjegjësisht listën e kandidatëve për kryetar të qytetit të Shkupit, do të nevojiten 4.674 nënshkrime”, thuhet në reagim.

Një shembull tjetër ilustrues i politikës diskriminuese ndaj të pavarurve, thonë ata, është fakti se për regjistrimin e një partie nevojiten 1.000 nënshkrime dhe kjo dispozitë nuk ka ndryshuar.

Për të pavarurit problem shtesë është edhe mënyra e vështirësuar e mbledhjes së nënshkrimeve nëpër zyrat e KSHZ-së, e cila mbetet edhe me ndryshimet e reja.

“Normat dhe rekomandimet ndërkombëtare thonë se nuk duhet të ketë kërkesa më restriktive për kandidatët e pavarur se sa ato për partitë. Të pavarurit edhe deri më tani janë përballur me metoda diskriminuese të përkthyera në dispozita ligjore apo praktika të trashëguara nga institucionet. Partitë që për një kohë të gjatë dominojnë në skenën politike kahmoti u ngjajnë shoqërive tregtare që zgjedhjet nuk i shohin si mundësi për të fituar masa dhe politika për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por si një shans për të rrëmbyer sa më shumë nga resurset e Maqedonisë për qëllime partiake”, thuhet në këtë reagim.

Me ndryshimet e fundit, shtojnë ata, partitë politike vetëm sa forcojnë pozitën e tyre monopole dhe e pengojnë hyrjen për listat e pavarura.

“Në këtë mënyrë në Maqedoni jo vetëm që nuk ka hapësirë ​​për të ashtuquajturin opsioni i tretë, por terreni është përshtatur në atë mënyrë që të mos ketë opsion alternativ. Edhe pse në dukje armiq të zemëruar, partitë si nga pushteti ashtu edhe nga opozita janë në marrëdhënie krejtësisht harmonike dhe e gjejnë menjëherë gjuhën e përbashkët kur duhet ta mbrojnë ‘territorin’ e tyre të ndikimit”, thuhet në reagim.

Në reagim janë nënshkruar Të pavarurit për Karposhin – Për mbrojtjen e Karposhit, Qyteti i Gjelbër Human, Shansi për Qendrën, Të Gjelbrit nga Gazi Baba, Më mirë për Tetovën, Ndryshe nga Manastiri, Stiga e! nga Strumica dhe Stiga e – fronti kundër minierës dhe ndotësve të mjedisit jetësor nga Bosillova, Novo Sellë.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 7 mars, në seancën e 147-të, me procedurë të shkurtuar, me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.