Ndeshjet e Ligës së Parë në RMV do të luhen brenda tri ditëve, ndërsa ato të Kupës në tri ditët tjera

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka hartuar kalendarin e ndeshjeve për sezonin 2025/2026 në Ligën e Parë, Dytë dhe në Kupë, duke përcaktuar edhe ndeshjet e javës së parë, transmeton Portalb.mk.

Ndeshjet e javës së parë në Ligën e Parë do të luhen më 8, 9 dhe 10 gusht, ndërsa në Ligën e Dytë fillojnë prej 23 gusht.

Ndeshjet e Ligës së Parë do të luhen të premten, shtunën dhe dielën, ato të Ligës së Dytë të shtunën, ndërsa ndeshjet e Kupës të martën, mërkurën dhe të enjten.

Në fillim të muajit qershor, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka paralajmëruar se nga sezoni 2026/2027 do të jenë dhjetë ekipe në Ligën e Parë të futbollit, duke theksuar se sezoni 2025/26 do të jetë sezoni i fundit kur do të jetë 12 ekipe në Ligën e Parë.

Ndryshe, në Ligën e Parë gjatë sezonit 2025/2026 do të marrin pjesë pesë ekipe shqiptare: Shkëndija e Tetovës, Struga, Shkupi, Arsimi dhe Bashkimi i Kumanovës.

Në sezonin 2024/2025 kampion në Ligën e Parë u shpall Shkëndija e Tetovës, ndërsa fitues i Kupës së Maqedonisë 2025 është Vardari.