MPJ: VMRO-DPMNE ka edhe 24 orë kohë të kërkojë falje për manipulimet se Osmani ka shkelur Ligjin për përdorimin e gjuhëve

Ministria e Punëve të Jashtme mëngjesin e sotëm përmes një komunikate me shkrim ka mohuar sërish akuzat e opozitës VMRO-DPMNE se kreu i diplomacisë ka shkelur Ligjin për përdorimin e gjuhëve gjatë konferencës për media me homologun spanjoll Jose Manuel Albarez Bueno të premten e javës së kaluar, duke i lënë partisë edhe 24 orë për të kërkuar falje për, siç thotë Ministria, përpjekjet e vetëdijshme për të futur tensione dhe përçarje ndëretnike në shoqëri, transmeton Portalb.mk.

“Kaluan 24 orë që kur janë demantuar gënjeshtrat flagrante të VMRO-DPMNE-së, të lasuara gjatë festave, ndërsa partia ende nuk ka kërkuar falje. Si leksion për të ardhmen, për partinë që është kapur duke gënjyer, lëmë edhe 24 orë kohë për t’i kërkuar falje Ministrisë dhe mbi të gjitha publikut të shqetësuar gjatë festave. Me këtë bëhet e qartë se akuzat e VMRO-DPMNE-së paraqesin një përpjekje të vetëdijshme për të futur tensione dhe përçarje ndëretnike në shoqëri, gjë që mund të konfirmohet nga formulimi dhe koha e vetë manipulimit të bërë nga VMRO-DPMNE”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ashtu si shefi i diplomacisë dje, i cili ka reaguar ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së në profilin e tij zyrtar në Facebook, Ministria përveç njoftimit ka publikuar edhe një video incizim të konferencës për media të Osmanit me shefin e diplomacisë spanjolle.

Nga videon e bashkangjitur shihet se fjalimi i Osmanit në konferencën për media është në gjuhën maqedonase, pas së cilës ministri flet edhe në gjuhën shqipe.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se fakti që tentativa për të manipuluar opinionin është bërë gjatë festave paraqet fyerje shtesë për qytetarët e vendit dhe për këtë presin falje nga opozita.

Nga aty sqarojnë më tej përdorimin e dy gjuhëve zyrtare gjatë daljeve publike të ministrit të Jashtëm para publikut vendas.

“Si praktikë e vendosur prej kohësh, Ministri i drejtohet në të njëjtën mënyrë që nga fillimi i mandatit si Ministër i Punëve të Jashtme për tre vitet e fundit, si dhe për dy vitet e mëparshme si Zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane; në daljet publike para publikut vendas, Ministri flet në të dyja gjuhët zyrtare, gjë që shihet edhe nga vetë video incizimi (më poshtë), ndërsa për mediat gjithmonë ofrohet një përkthim i përshtatshëm, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zbatimin e Gjuhëve”, thuhet në njoftim.

VMRO-DPMNE-ja opozitare dje i bëri thirrje Osmanit që të japë dorëheqje nga pozita e tij, ndërsa organet kompetente të nisin procedurë penale kundër tij, sepse në konferencën për media me kolegun spanjoll të premten, ai foli në shqip, në vend të maqedonisht, e cila sipas Kushtetutës është gjuhë zyrtare në komunikimin ndërkombëtar.

Ndaj akuzave të tilla ka reaguar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i cili i cilësoi të pavërteta dhe akuzoi partinë opozitare për sjellje shoviniste.

“VMRO-DPMNE po rritet gjithnjë e më shumë në një shoqatë shoviniste që nuk i respekton as përkrahësit e saj kur prezanton gënjeshtra dhe të pavërteta në festat e shenjta, e aq më pak pjesën tjetër të qytetarëve që vazhdimisht i fyen dhe nënçmon, duke përhapur urrejtje dhe intolerancë etnike”, ka shkruar Osmani në Facebook.