MPB prezantoi formularin e ndryshuar të termineve për tu fotografuar për dokumente personale

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se nga dje kanë prezantuar edhe një rubrikë të re në ueb-faqen https://termin.mvr.gov.mk/, e cila synon të kontribuojë në termine sa më të shpejtë për tu fotografuar për nxjerrjen e dokumenteve personale, transmeton Portalb.mk.

Në këtë rubrikë të quajtur “Dërgo kërkesë për termin”, qytetarët shënojnë numrin amë, numrin e telefonit dhe zgjedhin se për cilin dokument dëshirojnë të caktojnë termin.

“Pas dërgimit të kërkesës, operatorët e qendrave të thirrjeve do t’i kontaktojnë ata në numrin e kontaktit të specifikuar për t’i shërbyer kërkesës së tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, informojnë nga MPB.

Ky seksion mund të qaset drejtpërdrejt përmes këtij linku:
https://termin.mvr.gov.mk/Call_Request

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.