Përveç fletës për udhëtim, diaspora mund të pajiset me dokumente udhëtimi nga 25 përfaqësi konsullore-diplomatike

Zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev, në faqen e tij në Facebook, ka dërguar thirrje deri te diaspora e RMV-së që përveç fletës për udhëtim, kanë mundësi që t’i shfrytëzojnë edhe stacionet bazë në përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Bëj apel deri te diaspora e Maqedonisë, përveç fletës për udhëtim e cila është falas, kanë mundësi t’i shfrytëzojnë edhe stacionet bazë në përfaqësitë diplomatike-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Projekti për dorëzimin e kërkesës për lëshim të dokumenteve për udhëtim nëpërmjet përfaqësitë diplomatike-konsullore ka filluar prej 01.10.2021 dhe deri më 09.02.2024 gjithsej 47.726 qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi që të marrin dokument udhëtimi”, thotë zv.ministri Bojmacaliev.

Momentalisht, sipas njoftimit të ministrit, kërkesa për lëshim të dokumenteve për udhëtim ka gjithsej në 25 përfaqësi diplomatike edhe atë në: Lubjanë, Londër, Bern, Berlin, Bon, Munih, Vjenë, Nju Jork, Çikako, Venedik, Romë, Maltë, Stokholm, Kopenhagë, Pekin, Malmo, Abu Dabi, Oslo, Bruksel, Hag, Paris, Toronto, Detroit, Melburn dhe Kanabera.

“Tërë procesi, nga dorëzimi i kërkesës deri në përgatitjen e dokumentit zgjat prej 15 deri në 30 ditë, që është shkurtim serioz i kohëzgjatjes së procedurave, nëse merren parasysh se procedura e deritanishme zgjattë nga katër deri në pesë muaj, me shpenzime të larta për qytetarët”, thotë Bojmacaliev.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.