Mozaiku i kërkesave dhe eurointegrimet

Vetëm disa ditë pasi një ministër në qeverinë e Maqedonisë së Veriut tha se “Shqipëria kurrë nuk do të bëhet anëtare e BE-së”, Shqipëria i filloi negociatat me BE-në ndaras nga Maqedonia e Veriut. Ajo e hapi kreun e parë të negociatave për anëtarësim në BE, me shpresën se deri më 2030 do të bëhet anëtare e saj.

Qëndrimi i BE-së në raport me Maqedoninë e Veriut mbetet i palëkundur: nuk do të lejohen negociata të reja për “kompromisin francez”, që e parasheh përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e RMV-së.

“Përderisa në BE vendoset njëzëri, Maqedonia e Veriut doemos duhet t’i respektojë kompromiset dhe t’i përfshijë bullgarët në kushtetutë që t’i fillojë bisedimet me BE-në… Nuk bëhet fjalë për padrejtësi, por për respektim të rregullave europiane”, citohet të ketë thënë shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok gjatë takimit me kolegun maqedonas, Timço Muçunski, menjëherë pas samitit të Procesit të Berlinit. Ajo i porositi krerët më të lartë shtetërorë që të sillnin vendime të rëndësishme, edhe nëse do të ishin kundër opinionit mbizotërues publik.

Sofja zyrtare e ka bërë të qartë se Shkupi duhet të zgjedhë: ose bullgarët në kushtetutë ose nuk ka anëtarësim në BE.

Vendimin e fundit të BE-së, për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, kryeministri Hristijan Mickovski e quajti “mesazh të keq për popullin maqedonas” dhe paralajmëroi se nuk do të pranonte kushtëzime “për lëshime kombëtare”.

Opozita e kritikoi pushtetin për “përhapje të populizmit dhe të patriotizmit të rremë”, që vendin e çojnë në “izolim ndërkombëtar, stagnim ekonomik dhe tensione të brendshme”.

Siç shihet, mozaiku i kërkesave është i plotë. Dihen qëndrimet e të gjitha palëve.

Lajmi për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimit drejt BE-së, nuk është dëshpërues për të gjithë, sepse ka qarqe politike që vendin duan ta shohin sa më larg BE-së.

Procesi i Berlinit, që ka si qëllim kryesor lidhjen dhe pajtimin e shoqërive të rajonit, veçanërisht në planin ekonomik, ka dhënë shpresë për vendet e Ballkanit Perëndimor për një integrim të tyre në BE, por vetëm nëse i plotësojnë kriteret e kërkuara. Pra, nëse i zhvillojnë institucionet e veta, krijojnë sistem të ri vlerash, shtet ligjor dhe demokraci funksionale.

Dështimet e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin eurointegrues nuk janë vetëm të natyrës politike. Krahasuar me Shqipërinë, vendi ngec në të gjitha sferat shoqërore. Përveç kësaj, ka ende tensione ndëretnike, që janë të papranueshme për një shtet pretendent për të qenë pjesë e BE-së.

Për Maqedoninë e Veriut më nuk thuhet se ka shënuar përparime të dukshme. Gjermania ka veçuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vende më të suksesshme të Ballkanit Perëndimor për sa u përket reformave të kryera. Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Europën, Anton Hofreiter-i, citohet të ketë thënë se Podgorica i zbaton shumë mirë reformat, kurse Tirana ka arritur shumë përparime.

Shikuar në tërësi dhe në kronologji, pavarësisht se çfarë thuhet për politikë ditore, fajtorë për dështimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së janë të gjitha elitat e deritanishme politike. Për vendime të rëndësishme duhet guxim. Liderët janë fokusuar vetëm te përfitimi i përkohshëm politik.