Javën tjetër do të fillojë Liga e Parë në Maqedoninë e Veriut, pesë ekipe shqiptare janë në garë

Liga e Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut do të fillojë më 25 korrik, ashtu që në sezonin 2026/2027 pritet të zhvillohen 36 xhiro. Këtë vit do të jenë dhjetë ekipe, pesë prej tyre janë shqiptare, raporton Portalb.mk.

Pjesa a parë e sezonit 2026/2027 do të mbarojë më 13 dhjetor, ndërsa pjesa e dytë e sezonit do të zhvillohet prej 13 shkurtit e deri më 23 maj.

Më 25 korrik pritet të fillojë sezoni i futbollit në Ligën e Parë, ndërsa pritet të mbarojë më 23 maj.

Në xhiron e parë do të kemi derbin shqiptar ndërmjet Strugës dhe Shkëndijës së Haraçinës, ndërsa Shkëndija do të pret në Tetovë Skopjen, Bashkimi do të luajë kundër Sileksit, ndërsa Arsimi kundër Tikveshit.

Në krahasim me vitin e kaluar kur luheshin nga gjashtë ndeshje në çdo xhiro, këtë vit do të luhen vetëm pesë ndeshje. Ekipet që do të luajnë këtë vit në Ligën e Parë janë: Shkëndija, Struga, Bashkimi, Arsimi, Shkëndija e Haraçinës, Vardari, Bregallnica, Skopje, Sileksi dhe Tikveshi. Për herë të parë në Ligën e Parë u kualifikua Shkëndija e Haraçinës, ndërsa ndeshjet pritet t’i zhvillojë në stadiumin e Çairit.

Ndryshe, pas shumë vitesh, ekipet shqiptare nuk arritën të marrin asnjë trofe brenda një sezoni futbolli, pasi kampion i Ligës së Parë në sezonin 2025/2026 u shpall Vardari, ndërsa Sileksi e fitoi Kupën e Maqedonisë së Veriut.

Në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut do të garojnë dy ekipe shqiptare, njëra e eliminuar nga Liga e Parë, ndërsa tjetra e kualifikuar nga Liga e Tretë. Ndeshjet do të fillojnë më 15 gusht.