Mjeku pa licencë në Maqedoninë e Veriut ka marrë katër vjet rrogë
Mjeku 42 vjeç nga Struga, katër vjet ka marrë rroga dhe shtesa në rrogë, edhe pse nuk e ka pasur licencën e mjekut. Kështu informoi Ministria për Punë të Brendshme, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën prej 15 korrikut të vitit 2020, prej kur edhe nuk i vlen më licenca e mjekut, deri në marrjen e vendimit për largim më 29 nëntor të vitit 2024, i akuzuar ka marrë rroga dhe shtesa, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 1.956.569 denarë”, njoftuan nga MPB-ja, duke e akuzuar për “punë të pandërgjegjshme në shërbim”.
Reparti për punë të brendshme në Strugë për këtë arsye ka ngritur kallëzim penal ndaj mjekut nga Struga. Ai ishte mjek në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë.