Miranda Hashani: Komercializmi ka kaluar kufijtë, por kënga e bukur shqipe nuk nuk do të shuhet
Në një kohë kur industria muzikore ndryshon me ritme të shpejta dhe emrat shpesh vijnë e shkojnë, të rrallë janë artistët që arrijnë të mbeten të dashur dhe të qëndrueshëm ndër vite. Një prej tyre është Miranda Hashani, një zë i fuqishëm dhe autentik i muzikës shqiptare, që ka ditur të ruajë identitetin, vlerat dhe lidhjen e fortë me publikun. Me një karrierë të gjatë, të ndërtuar mbi përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri për artin, Miranda vazhdon të jetë e pranishme dhe e vlerësuar në skenë. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo ndau rrugëtimin e saj, sfidat, parimet që e kanë udhëhequr dhe planet për të ardhmen.
Portalb.mk: Si ke arritur të qëndrosh relevante dhe aktive në skenë për kaq vite, kur industria muzikore ka ndryshuar goxha shumë? Cili është sekreti që e ka ndihmuar Mirandën të mbijetojë, kur shumë emra vijnë e shkojnë?
Miranda Hashani: Kur fillova rrugën e këngës, zgjodha bashkëpunëtorët më të mirë. Krijuam bashkë këngë me shumë përkushtim, dashuri e mund, që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen nga publiku im besnik. Pjesëmarrjet e mia nëpër festivale, koncerte e evente të tjera, ku jam munduar të dal para publikut e kujdesshme për çdo detaj, mendoj se janë ato që bënë që publiku të më përqafojë dhe të më mbajë gjallë në skenë për kaq vite, duke më duartrokitur dhe duke më dhënë dashuri pafund, të cilën mundohem t’ua kthej me të njëjtën masë. Uroj të mos i zhgënjej për sa vite do të jem në skenë.
Portalb.mk: Çfarë ka ndryshuar te ti me vitet dhe çfarë ka mbetur e njëjtë në karrierën tënde?
Miranda Hashani: Me vitet kam krijuar përvojë dhe nga rastet e jetës kam mësuar shumë. Gjithmonë jam bërë edhe më e mirë, kam shtuar përgjegjësinë për punën dhe jetën në përgjithësi. E njëjtë kam mbetur në karakter, në parime, dhe ajo që kam krijuar si emër më ka mbajtur me këmbë në tokë, pa ndryshuar sjelljen time ndaj askujt. Jam e lumtur që marr dhe jap dashuri pafund çdo ditë.
Portalb.mk: A ke bërë ose refuzuar kompromise që kanë ndikuar në karrierën tënde?
Miranda Hashani: Për kompromise ka pasur raste të rralla, sepse të gjithë ata që më njohin e dinë se rrallë lëshoj pe në diçka që mund të ulë imazhin tim. Ndaj, në këtë pjesë kam treguar gjithmonë kujdes.

Portalb.mk: A ka hipokrizi në muzikë dhe si i dallon ata që të buzëqeshin, por punojnë kundër teje?
Miranda Hashani: Për kaq vite në skenë, kam treguar maturi dhe kujdes ndaj çdo njeriu, qofshin ata bashkëpunëtorë apo këngëtarë. Jam munduar ta ruaj miqësinë me të gjithë dhe ma kanë kthyer njësoj, ndaj edhe nëse mund të ketë pasur raste të tilla, i kam kaluar pa zhurmë.
Portalb.mk: Si e sheh muzikën shqiptare sot përballë trendeve të komercializimit?
Miranda Hashani: Komercializmi ka ekzistuar gjithmonë, edhe pse kohët e fundit pak është tepruar, por përsëri mendoj se ajo tradicionalja, kënga e bukur shqipe, nuk do të vdesë kurrë.
Portalb.mk: A kemi dhe a po e ruajmë muzikën e mirëfilltë aq sa duhet? Si e sheh luftën midis muzikës së mirëfilltë dhe hiteve që krijohen brenda natës?
Miranda Hashani: Ajo këngë që vjen brenda natës, siç vjen, ashtu shkon. Ato këngë që punohen me përkushtim e kujdes, mbeten përgjithmonë.
Portalb.mk: Si e sheh përkrahjen e institucioneve ndaj artit te ne, pse mungon përkrahja ndaj kulturës?
Miranda Hashani: Arti është përkrahur, por jo në masën e duhur. Mendoj se institucionet duhet gjithmonë të bëjnë më shumë. Ndoshta mungojnë projektet, ose ato kanë kosto të lartë dhe refuzohen për shkak të pamundësisë për mbulimin financiar. Arti i bukur është i kushtueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për projekte të mëdha.
Portalb.mk: Si lindi ideja për shoqatën “Gonxhet” dhe çfarë synoni të arrini?
Miranda Hashani: Ideja për shoqatën “Gonxhet” ka qenë e kahmotshme. Më shtyu dëshira për të bërë diçka më shumë për vendin tim, për shoqërinë, për artin e bukur. Ndaj, qëllimi ynë është të fuqizojmë vlerat, sepse pa to nuk ka drejtim. Të fuqizojmë artin, sepse ai flet kur fjala nuk mjafton. Të fuqizojmë kulturën, sepse aty jetojnë rrënjët tona. Të fuqizojmë gruan si shtyllë kryesore në këtë shoqëri, sepse ajo është themeli i ndryshimit. Dua të lulëzojë ajo që shumë shpesh te ne është e heshtur: gruaja, arti, kultura, vlerat.

Portalb.mk: Çfarë mund të presim nga Miranda këtë vit: këngë, album apo çfarë?
Miranda Hashani: Sapo kam mbaruar albumin me këngë të përpunuara popullore, i cili shumë shpejt do të shpërndahet në të gjitha platformat. Ndërkohë, po punoj për disa këngë të reja, ku dy prej tyre do të jenë duete. Po ashtu, kam disa projekte me shoqatën “Gonxhet” dhe shumë plane e ide të tjera që nuk po i zbuloj tani.
Portalb.mk: Për fund, cili do të ishte mesazhi që Miranda Hashani do t’u përcillte artistëve të rinj, atyre që duan të lënë gjurmë në muzikën shqiptare?
Miranda Hashani: Për artistët e rinj që duan të ngjiten nëpër shkallët e muzikës, që duan të krijojnë karrierë, u them që ta ndërtojnë çdo shkallë me kujdes gjatë ngjitjes, sepse është e rëndësishme të ndërtohen mirë dhe me shumë vlerë, që të jetojnë gjatë në skenë. Sepse, po nuk u ndërtua mirë, çdo gjë shembet shpejt. Rrugës do të përballen me shumë stuhi e erëra, por të mos dorëzohen kurrë, të ndjekin ëndrrat, sepse me punë e vullnet arrihen majat dhe çdo ëndërr bëhet realitet.