Miqësia sipas Ciceronit

Për miqësinë kanë shkruar shumë autorë. Homeri tek Iliada shkroi për miqësinë e Akilit dhe Patroklit. Tek Orestia, gjegjësisht te Koeforet e Eskilit, flitet për miqësinë e Orestit dhe Piladit. Sipas Euripidit, miqtë e vërtetë çdo pasuri e kanë të përbashkët. Te Hamleti i Shekspirit e kemi miqësinë e Hamletit dhe Horatit…

Edhe filozofët kanë shkruar për miqësinë. Sipas Platonit, miqësia është e mundur vetëm midis njerëzve të sjellshëm dhe të ngjashëm me njëri – tjetrin. Aristoteli mendonte se miqësia është “një shpirt në dy trupa”, kurse miqësia e vërtetë është vetëm ajo që bazohet në virtyt.

Për miqësinë, mençurinë dhe virtytin shkroi një traktat edhe Ciceroni, për të cilin jeta pa miq është asgjë. Sipas Ciceronit, natyra ua mundësoi njerëzve miqësinë që ta arrinin virtytin, si qëllimin më të lartë njerëzor. Miqësia e ndihmon virtytin dhe nuk e favorizon vesin. Ajo ekziston vetëm mes njerëzve të mirë, të ndershëm dhe të urtë, të cilët mund t’i shërojnë edhe plagët e shtetit dhe të shoqërisë.

“Ajo [miqësia] është dhuruar nga natyra si lindëse virtytesh, jo si shoqe vesesh… Kush vëzhgon një mik të vërtetë, e shikon atë si një shëmbëllim të vetvetes. Ndaj, ata që mungojnë bëhen të pranishëm, të skamurit bëhen të pasur, të dobëtit të fortë dhe gjëja më e vështirë për t’u thënë, të vdekurit bëhen të gjallë… [Ciceroni, Miqësia (Përktheu: Erion Kristo), Ideart, Tiranë, 2004.]

Miqësia, sipas Ciceronit, mbaron aty ku fillon interesi. Miqësia e vërtetë, që e ndryshon jetën tonë, vërtetohet në kohë fatkeqësie, sprovohet gjatë ndryshimeve të fatit, ajo e përmirëson lumturinë, e pakëson mjerimin dhe e dyfishon gëzimin tonë. Miqësia është sinqeritet dhe simpati e ndërsjellë. Është besnikëri dhe fisnikëri. Është forca që buron nga zemra. Është pafundësisht më e mirë se mirësia.

Ciceroni mendonte që miqtë duhet t’i zgjedhim me kujdes. Duhet të krijojmë miqësi të reja, por t’i ruajmë miqësitë e vjetra. Miqtë, sipas tij, na bëjnë njerëz më të mirë dhe vetëm njerëzit e mirë mund të jenë miq të vërtetë. Miqtë duhet të jenë të sinqertë me njëri – tjetrin, sepse shpërblimi i miqësisë është vetëm miqësia, e cila nuk kërkon asgjë si kundërvlerë.

Ai porositi që mikut asnjëherë nuk duhet t’i kërkojmë të bëjë keq. Miku për mikun mund të rrezikojë gjithçka, por jo edhe nderin e tij. Nuk është mik ai që kërkon nga ju të gënjeni, mashtroni apo të bëni diçka të turpshme.

Traktati i Ciceronit për miqësinë, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Erion Kristo, është vepër për të gjithë kohët. Është libër i rëndësishëm edhe për kohën tonë, kur gjithnjë e më shumë humbet afërsia ndërnjerëzore, kurse miqësitë krijohen për shkak të interesit dhe jo shkaku i virtytit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.