Në kuadër të manifestimit “Frymë vjeshte” sonte në Tetovë shfaqet Koncert i muzikës klasike

Në kuadër të manifestimit “Frymë vjeshte” sonte me fillim nga ora 19:00 në Shift Center, Tetovë do të mbahet koncert i muzikës klasike nga Shkelzen Pajaziti në violinë dhe Shkelzen Baftiari në piano, njofton Portalb.mk.

Ky koncert i dedikohet muzikës klasike ku do të interpretohen vepra të kompozitorëve të ndryshëm botërorë, por gjithashtu edhe veprat e kompozitorëve shqiptar.

Violinisti Shkëlzen Pajaziti, për Portalb.mk tha se në këtë koncert do të ketë një repertoar të begatë.

“Sonte në koncert do të sjellim një program të larmishëm dhe të begatë duke filluar nga klasicizmi, do të kemi vepra të kompozitorëve barok, gjithashtu edhe vepra të kompozitorëve bashkëkohorë, vepra të njohura shqipe. Për të gjithë ta të cilët duan ta ndjekin këtë koncert do ta zbulojnë komplet repertorin”, tha Pajaziti.

Ky koncert organizohet nga Shoqata për Art dhe Kulturë “Konsonanca” në kuadër të edicionit të tretë të manifestimit  “Frymë vjeshte”.