Ministria e Shëndetësisë në RMV do të kontrollojë nëse spitalet private po kryejnë operacione vetëm për përfitime

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të ketë shqyrtim urgjent të pretendimeve të ndara në publik në lidhje me ndërhyrje të mundshme të panevojshme mjekësore. Për të krijuar një pamje të plotë, Ministria e Shëndetësisë thotë se do të kryhen inspektime urgjente dhe të jashtëzakonshme, transmeton Portalb.mk.

“Në opinion janë paraqitur pretendime serioze për ndërhyrje të mundshme të panevojshme mjekësore. Në shëndetësi ekzistojnë standarde profesionale të përcaktuara qartë, protokolle dhe procedura ligjore, si dhe trupa kompetente përgjegjëse për zbatimin e tyre. Respektimi i integritetit profesional të punonjësve shëndetësorë është i detyrueshëm, ashtu si edhe respektimi i të drejtave të pacientëve. Vendimet për trajtim bazohen në indikacionet klinike, por edhe në të drejtën për një mendim të dytë profesional. Pacientët duhet të ndihen të inkurajuar të bëjnë pyetje, të kërkojnë sqarime dhe nëse kanë dilema, të kërkojnë një mendim të dytë — kjo është pjesë e praktikës së mirë mjekësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kjo temë shtojnë nga Ministria, kërkon qasje të matur dhe respekt ndaj fakteve, ndërsa siguria e pacientëve, etika mjekësore dhe mjekësia e bazuar në prova janë “parimet themelore mbi të cilat bazohet qasja e sistemit shëndetësor”.

“Bazuar në informacionet që janë ndarë me opinionin, Ministria e Shëndetësisë tashmë është në koordinim për verifikimin e pretendimeve, si dhe për realizimin e kontrolleve të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme me qëllim sigurimin e një pasqyre të plotë. Për më tepër, ministri Azir Aliu tashmë ka paralajmëruar se digjitalizimi i plotë i sektorit shëndetësor përfshin edhe shkëmbimin dypalësh të informatave ndërmjet institucioneve shëndetësore publike dhe private përmes sistemit  Termini im – vetëm atëherë do të kemi një pasqyrë të qartë edhe për keqpërdorimet e mundshme të sistemit dhe të mjeteve financiare, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria apelon që komunikimi publik mbi këtë temë të jetë i matur dhe i bazuar në informacione të verifikueshme, pa spekulime dhe përgjithësime që e barazojnë të gjithë sistemin me raste individuale.

“Sigurisht që secili ka të drejtë për mendimin e vet, veçanërisht nëse ai mbështetet me fakte të argumentuara, por gjithashtu mendojmë se është e nevojshme të shmangen deklaratat që çojnë në përgjithësime dhe sensacionalizëm”, thuhet në njoftim.

Njoftimet nga Ministria e Shëndetësisë vijnë pasi kardiologu Sasko Kedev, në një paraqitje i ftuar në emisionin “Stadium”, duke ndarë përvojën e tij, por edhe atë të kolegëve të tij, tha se pjesën më të madhe të aktivitetit të tij konsultativ e kalon duke i dekurajuar njerëzit nga ndërhyrjet e panevojshme.

“Pjesa më e madhe e aktivitetit tim konsulent është në dekurajimin e njerëzve nga ndërhyrjet e panevojshme, stentimi i panevojshëm, operacionet e panevojshme. Aktualisht po përballemi me diçka të frikshme, dhe këto janë ato ndërhyrje të panevojshme që janë të orientuara drejt fitimit. Kemi një përhapje të spitaleve private, interesi i të cilave është fitimi. Këto janë gjëra lehtësisht të provueshme, kemi prova se qendra të caktuara duhet të mbyllen nga pikëpamja mjekësore. Nëse kjo do të ndodhte në Angli ose Amerikë, do të ishte nën dry. Operuan pa nevojë, prenë gjoksin pa nevojë, kemi prova për këtë. Është një gjë interesante, për të cilën institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin veprime, kryesisht Ministria e Shëndetësisë dhe fondi, sepse ata paguajnë për disa nga këto ndërhyrje. Po flasim për probleme shumë serioze etike, që lidhen me fitimin”, tha Kedev.