Ministria e Shëndetësisë në mënyrë retroaktive nënshkruajti marrëveshje për shirita për matjen e sheqerit, diabetikët do të kërkojnë dëmshpërblim

Kaos i vërtetë është shkaktuar me furnizimin e ndihmuesve dhe terapive për personat me diabet, pasi që Ministria e Shëndetësisë me vonesë prej thuajse tetë muajsh e ka nënshkruar marrëveshjen për gjilpëra dhe shirita për matjen e sheqerit në gjak, pompave të insulinës me material shpenzues dhe sensorëve për matjen e vazhdueshme të sheqerit për periudhën janar 2023 – dhjetor 2024 për nevojën e popullatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse marrëveshjet e nënshkruara me disa kompanie janë me vlefshmëri prej janarit të vitit 2023 deri në dhjetor të vitit 2024, personat me diabet ende nuk e kanë marrë terapinë. Në protestën e fundit të personave me diabet më 21 korrik, ministri Fatmir Mexhiti tha se “sot është realizuar njëra prej kërkesave të tyre kyçe, gjegjësisht është nënshkruar vendimi për zgjedhjen e ofertuesit për furnizim të shiritave”.

“Të gjitha procedurat në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer në afatin sa më të shkurtër, me të vërtetë më vjen keq që është vonuar furnizimi, i cili do të duhej të kishte filluar prej dhjetorit nga udhëheqësia paraprake”, theksoi Mexhiti në takim me përfaqësuesit e Lidhjes së Shoqatave të Diabetikëve, e cila është mbajtur përpara protestës së paralajmëruar.

Prej atëherë kanë kaluar tre javë, ndërkaq nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve në Maqedoni thonë se shirita ende nuk ka dhe se lufta do të vazhdojë duke ngritur procedurë juridike, në të cilën do të kërkojnë përgjegjësi dhe dëmshpërblim për të gjithë këto muaj në të cilat personat me diabet kanë mbetur pa terapi dhe mundësi për matjen e sheqerit.

“Durimi ynë është harxhuar më shumë se gjilpërat për insulinës, shiritat për matjen e sheqerit, glukomatësit dhe gjithashtu sikur edhe terapia që na humb ndonjë muaj! Është shumë që të vazhdojmë të injorohemi, diskriminohemi dhe poshtërohemi. Mjaft më! Jemi sjellë në situatë të stresit shtesë i cili ndikon në shëndetin tonë, edhe ashtu të përkeqësuar. Pse? Pasi që vazhdimisht mes dy procedurave tenderiale lihemi pa sasi të nevojshme të insulinës ose tabletave, është e paparamendueshme dhe e patolerueshme që 8 muaj të mos ketë aparate dhe shirita për matjen e sheqerit në gjak. Prej gjithsej 12 muaj në vit, 8 muaj jemi lënë që vetë të gjendemi siç dimë dhe mundemi që të mbijetojmë, dhe paramendoni për gjithë këtë kohë kemi sigurim shëndetësor”, thonë nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë.

As Sali, as Mexhiti nuk e shpallën në kohë tenderin e madh dyvjeçar për personat me diabet

Sipas të dhënave nga ueb-faqja për furnizime publike, mund të shihet se tenderi për gjilpëra dhe shirita për matjen e sheqerit, pompave të insulinës me material shpenzues dhe sensorëve për matjen e vazhdueshme të sheqerit shpallet çdo dy vjet. Tenderi i fundit ka mbaruar në dhjetor të vitit 2022 (me vlefshmëri nga janari 2020), ndërkaq Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur tenderin e radhës, madje, në 4 prill të vitit 2023, gjegjësisht katër muaj pas mbarimit të  tenderit të vjetër.

Foto nga Byroja për Furnizime Publike

Meta.mk disa herë është drejtuar deri te Ministria e Shëndetësisë me kërkesë për t’u përgjigjur se deri ku është procedura e furnizimit. Përgjigjet nga Ministria, me data, i transmetojmë në tërësi:

  • 15 maj 2023 – Procedura për furnizimin e shiritave dhe gjilpërave për matjen e glikemisë është në fazë finale, për momentin kryhet evaluimi i ofertave, pas çka do të vijojë furnizimi i tyre.
  • 19 korrik 2023 – Në të gjitha barnatoret për insulina në shtet ka mjaftueshëm sasi nga të gjitha llojet e insulinës. Furnizimi publik për gjilpëra dhe shirita për matjen e sheqerit tanimë është mbaruar, por procedura është nën ankesë dhe pritet përgjigje nga Komisioni Shtetëror prë Furnizime Publike. Menjëherë pasi të mbarojë procedura për ankesa do të furnizohen gjilpërat dhe shiritat për matjen e glikemisë në barnatoret për insulinë.
  • 20 korrik 2023 – Ministria e Shëndetësisë ka mirëkuptim të plotë për pacientët me diabet. Pasi që bëjmë gjithçka që kemi fuqi që sa më shpejtë të mbarojnë procedurat juridike të cilat si institucion e kemi patjetër t’i respektojmë. Siç tanimë disa herë informojmë, për momentin rrjedhin procedurat ankimuese për furnizimin e shiritave, procedurë e cila nuk varet nga ministria. Të gjitha procedurat në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë janë mbaruar në afatin sa më të shkurtër. Na vjen keq që furnizimi është vonuar i cili është dashur të fillojë që në dhjetor nga udhëheqësia paraprake. Në lidhje me furnizimin e sensorëve, ajo është në fazën e evaluimit dhe pritet që sa më shpejtë të mbarojë. Të gjithë fëmijët me diabet, por edhe personat e verbër dhe gratë shtatzëna për herë të parë do të marrin këso sensorë. Kërkojmë mirëkuptim nga pacientët për këtë gjendje e cila së shpejti do të tejkalohet. Ministri Mexhiti pas marrjes së funksionit është angazhuar që këto ngecje në furnizime më kurrë të mos ndodhin.

Tërë tenderi për dy vjet , sipas të dhënave nga Byroja për Furnizime Publike do të kushtojë mbi 4 milionë euro, ndërkaq marrëveshjet janë nënshkruar me tre kompani – Zegin DOO, Alkaloid Kons dhe dr. Panovski Shkup.

Me kompaninë e fundit, shoqatën aksionare dr. Panovski, marrëveshja është nënshkruar më 21 korrik të këtij viti dhe kap vlerën prej 2 milionë eurosh. Kjo marrëveshja ka të bëjë me shiritat për matjen e sheqerit për pacientët me diabet tip 1 dhe tip 2.

Është e paqartë pse marrëveshjet me këtë, por edhe me kompanitë tjera janë nënshkruar në mënyrë retroaktive, nga janari i vitit 2023, ndërkaq askund në zërat nuk është theksuar se pacientët do të marrin shirita në mënyrë retroaktive për tetë muaj e gjysmë.

Në marrëveshje shkruan se “furnizimi duhet të kryhet në afat prej 5 ditësh nga dita e marrjes së porosisë për shpërndarje në institucionet publike shëndetësore”.

Mexhiti u emërua ministër në fund të shkurtit, pasi që nga ky funksion u largua Bekim Sali. Kjo praktikisht nënkupton se të dy ministrat nuk e kanë shpallur në kohë tenderin dyvjeçar për personat e sëmurë nga diabeti.

“Në shekullin 21, ne pacientët mes vete këmbejmë nga terapia”

Çdo pacient me diabet i cili është në terapi me insulinë, merr një kuti me 80 shirita për matjen e glukozës, për dy muaj. Kjo, sipas pacientëve, aspak nuk i përmbush nevojat reale, pasi që shpesh harxhohen dy-tre shirita në ditë. Personat me tip 1 duhet së paku 3-4 herë në ditë ta matin sheqerin, për këtë, ata detyrohen që të blejnë privatisht shirita, pasi ato të shtetit i harxhojnë për një muaj.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm vitin e kaluar janë diagnostikuar 7460 pacientë të rinj me diabet dhe numri total i rasteve të regjistruara me diabet në vend është 135.690.

“Kjo do të thotë se gati 136 mijë qytetarë në këtë vend vuajnë, jetojnë nën stres të rëndë dhe kanë probleme të përditshme për shkak të gjendjes së tyre kronike. Po të shtojmë këtu edhe familjet, numri është realisht shumë më i lartë, pra pothuajse një e katërta e popullsisë së përgjithshme në vendin tonë përballet me pasojat e diabetit. 136 mijë qytetarë në këtë vend nuk kanë mundësi financiare për t’i siguruar vetes ndihmat e nevojshme mjekësore apo terapinë e nevojshme për t’u marrë me diagnozën tonë – diabetin. E dini si ja dalim? Në shekullin e 21-të, ne pacientët shkëmbejmë terapinë, gjilpërat, shiritat dhe aparatet e sheqerit me njëri-tjetrin”, thotë Dime Velev, kryetar i Unionit të Shoqatave të Diabetit.

Është e papranueshme, shton ai, në këtë vend që pacientët me diabet të mbeten pa shirita, gjilpëra dhe pajisje për matjen e sheqerit në gjak për saktësisht 8 muaj.

“Është e papërgjegjshme që pacientët vuajnë për shkak të procedurave tenderuese. Është e patolerueshme për shtetin! Është e papërgjegjshme që farmacitë e insulinës të na thonë vazhdimisht: “Ejani nesër, ejani pas dy ditësh, ejani javën tjetër”, “ju takojnë pesë stilolapsa, por do t’ju japim tre, dy të tjerat në muajin tjetër nëse ka”. “Është fundi i tenderit nuk kemi nga ai insulinë, shko te mjeku të ta ndërrojë insulinën” etj. Jo vetëm e papërgjegjshme, kjo marrëdhënie ndaj pacientëve me diabet është mizor!”, thotë Velev.