Ministria e Shëndetësisë mohoi përgjegjësinë për skanerin TEP jofunksional

Ministria e Shëndetësisë, në njoftimin e sotëm, përsëriti pretendimet e Institutit Universitar për Tomografi me Emision Pozitronik (IU TEP) lidhur me mosfunksionimin e skanerit të vetëm TEP/CT në vend, pas reagimit të partisë politike E Majta, transmeton Portalb.mk.

Reagimi i ministrisë vjen pas një publikimi të Levicës, ku citohet një artikull i Meta.mk, në të cilin bëhet e ditur se i vetmi skaner TEP në vend nuk funksionon.

Si ministria, ashtu edhe IU TEP, pretendojnë se problemi me skanerin TEP/CT është pasojë e neglizhimit për vite me radhë të protokollit për mirëmbajtjen parandaluese të pompës së difuzionit, përfshirë pastrimin e rregullt dhe ndërrimin e vajit çdo pesë vjet.

“Kjo gjendje është pasojë e dështimeve sistematike të akumuluara gjatë një periudhe të gjatë, për të cilat udhëheqësia aktuale, menjëherë pas konstatimit të gjendjes, ka ndërmarrë masa për tejkalimin e problemit”, thuhet nga ministria.

Nga Ministria, njësoj si dje nga IU TEP, thonë se një servisues i autorizuar tashmë po punon për defektin, por ende nuk dihet se kur skaneri PET do të fillojë sërish të funksionojë.

Ata shtojnë se janë të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës për pacientët me sëmundje onkologjike. Për këtë arsye, Klinika e Onkologjisë dhe Radioterapisë dhe Klinika e Hematologjisë janë tashmë të informuara për triazhimin e mëtejshëm përmes metodave të tjera diagnostikuese në dispozicion, me qëllim që trajtimi të mos ndërpritet.

Në raportin e revizionit për shfrytëzimin e pajisjeve moderne mjekësore, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Instituti Universitar për Tomografi me Emision Pozitron (IU TEP) është institucioni i vetëm publik në vend i specializuar për incizime PET/CT dhe se disponon me një skaner.

Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023 janë realizuar 6.457 udhëzime, përkatësisht mesatarisht rreth 180 incizime në muaj. Kapaciteti maksimal i pajisjeve në dispozicion, sipas informacioneve që IU TEP ua ka dorëzuar revizorëve, ishte 13 pacientë në ditë.

Revizorët kanë vlerësuar se me blerjen e një skaneri të dytë do të rritej qasja dhe numri i shërbimeve. Për aparatin e dytë tashmë ishte siguruar edhe hapësirë e përshtatshme në Institut.