Debat në vilën “Biljana” në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Rinjve: Dhuna mes bashkëmoshatarëve parandalohet me reagim në kohë

Në prag të 12 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, në vilën “Biljana” në Ohër u zhvillua një debat me temën “Dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe vandalizmi: të rinjtë, shkollat dhe hapësira digjitale”, i organizuar nga Këshilli për Rininë në kuadër të Kabinetit të Presidentes. Gjatë debatit, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerëson se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja, ndërsa pjesëmarrja e tyre aktive në shoqëri është parakusht për një kuptim më të mirë, parandalimin në kohë dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me dhunën, tranmseton Portalb.mk.

Sipas saj, shoqërimi i vërtetë, dhe jo ai virtual, si dhe komunikimi i drejtpërdrejtë, dhe jo ai digjital, kanë një vlerë të pazëvendësueshme. Ajo theksoi se dashuria, respekti dhe kultura e paqes mësohen që në moshë të hershme.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se problemet duhet të zgjidhen në të tashmen, me një fokus më të madh te parandalimi, krijimi i një mjedisi të sigurt shkollor dhe përgatitja e stafit mësimor për të njohur format e reja të agresionit. Ajo theksoi se ndryshimi i mentalitetit është një proces afatgjatë, në të cilin duhet të përfshihen të gjithë aktorët shoqërorë.

Vlladimir Karaev, kryetar i organizatës “Rubikon”, e cila përdor teknikën teatrore “teatri forum”, paralajmëroi për ndikimin e dëshmitarëve pasivë, duke theksuar se dhuna merr forcë kur ka publik. Ai bëri thirrje për tolerancë zero dhe reagim proaktiv, përkatësisht për inkurajimin e të rinjve që të reagojnë.

Aktivistja e re Selma nga Struga foli për dhunën mes bashkëmoshatarëve të motivuar nga përkatësia etnike dhe për nevojën e edukimit që në moshë të hershme në frymën e respektit të ndërsjellë. Ajo përcolli mesazhin se dallimet duhet të jenë një mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri dhe jo arsye për ndarje.

Studentja dhe aktivistja rinore Angela, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë personale në ndërtimin e marrëdhënieve mes bashkëmoshatarëve, vuri në dukje se rrjetet sociale nuk e pasqyrojnë plotësisht realitetin dhe se komunikimi digjital shpesh lë hapësirë për keqinterpretim.

Panelistët dhe pjesëmarrësit në debat u pajtuan se beteja e vështirë kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve fitohet përmes identifikimit në kohë dhe reagimit të duhur.

Për të gjithë, të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja. Prandaj, duhet të ndërtojmë një kulturë të paqes dhe respektit.

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.