Ministria e Arsimit dhe Shkencës promovoi tekstet e para shkollore të digjitalizuara

Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut prezantoi tekstet digjitale interaktive për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta, të cilat do të vihen në përdorim nga gjysmë vjetori i dytë i vitit shkollor, shkruan Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një version digjital të teksteve të shtypura në të gjitha gjuhët mësimore me elemente multimedialë si video, foto, ilustrime, kuize dhe përmbajtje të tjera.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri theksoi se këto tekste nuk janë zëvendësim për tekstet e shtypura dhe as vetëm versione PDF të tyre, por material shtesë multimedial për ta bërë mësimin më interesant për nxënësit.

„ Këto nuk janë tekstet shkollore  klasike të shtypura  të konvertuara në format PDF, por tekste shkollore  me shumë elementë multimedialë si video, foto, ilustrime, kuize dhe përmbajtje të tjera që e bëjnë procesin e përvetësimit të njohurive më interesant për të rinjtë, dhe për këtë arsye  edhe më efektive” , tha ministri Shaqiri.

Ai informoi se në periudhën e kaluar aplikimi i tyre është testuar në disa shkolla dhe se reagimet e mësimdhënësve dhe nxënësve janë jashtëzakonisht pozitive. Ndërkaq, sa u përket klasave më të ulta, ai tha se në këtë moshë duhet të përqendrohet në zhvillimin  e qëndrimit të fëmijëve ndaj librit dhe fjalës së shkruar.

“Nuk kemi vendosur të digjitalizojmë tekstet e klasave të ulëta. Respektojmë rekomandimet pedagogjike, sepse kjo është periudha  për  zhvillimin  e qëndrimit të fëmijëve ndaj librit dhe fjalës së shkruar” tha ministri.

Tekstet digjitale do të jenë të qasshme në ueb faqen nastava.mk, ku nxënësit, por edhe mësimdhënësit dhe prindërit, do të duhet të regjistrohen. Mësuesit dhe prindërit do të kenë qasje në sa shpesh nxënësit i hapin tekstet e tyre shkollore si dhe me sa korrektësi iu përgjigjen kuizeve në tekstet shkollore.