Shkollat e Tetovës me mungesë të psikologëve, sociologëve, defektologëve dhe pedagogëve

Edhe ky gjysmë-vjetor në shkollat e Tetovës do të përfundojë me mungesë të psikologëve dhe jo vetëm, mungojnë edhe sociologë, defektologë dhe pedagog. Mungesa e këtyre kuadrove dhe bashkëpunimi jo i mirë ndërinstitucional kontribuon në përkeqësimin e sjelljeve devijante te të rinjtë në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës mungojnë shumë psikologë, sociologë dhe të tjerë. Nga Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës për Portalb.mk bënë të ditura edhe shifrat.

“Në shkollat fillore mungojnë 9 sociologë, 10 defektologë, 2 psikologë, 1 pedagog. Në shkollën e mesme “Nikolla Shenj” nuk ka sociolog dhe defektolog, në shkollën e mesme “8 shtator” nuk ka psikolog, sociolog dhe defektolog, në shkollën e mesme “Gjoce Stojçevski” nuk ka defektolog ndërsa gjimnazi “7 Marsi” nuk ka sociolog dhe defektolog”, informuan nga Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës.

Komuna e Tetovës thotë se ka bërë kërkesë për këto kuadro në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Financave, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

“Komuna e Tetovës dy vite radhazi ka bërë kërkesë deri te MASH për kuadër profesional që nënkupton pedagogë, psikologë, defektologë, mirëpo asnjëherë nuk kemi pasur përgjigje pozitive nga ana e ministrive përkatëse, konkretisht Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave. Sa për informacion, Shkolla e Mesme Ekonomike që nga themelimi e deri ditët e sotme ka mungesë të psikologut duke pas parasysh faktin që është një ndër shkollat e mëdha të mesme në komunën tonë por deri sot asnjëherë s’kemi pasur përgjigje pozitive”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) arsyetohet.

“Në shkollat ​​fillore dhe të mesme komunale në Tetovë janë të punësuar 13 psikologë. Natyrisht, MASh-i si edhe më parë, do të angazhohet për plotësimin e plotë të shërbimeve profesionale në të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme në vend, në këtë drejtim ju bëjmë me dije se janë në zhvillim e sipër dy procese të rëndësishme, njëri për optimizimin e rrjetit të shkollave në të gjithë territorin e shtetit me qëllim sigurimin e kushteve më të mira infrastrukturore për mësimdhënien, ndërsa tjetri është përcaktimi i formulave të reja për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm, të cilat ndër të tjera do të mundësojnë avancimin e burimeve njerëzore”, thanë nga MASh.

Pyetëm edhe Ministrinë e Financave, por nga atje, si në shumë raste të tjera nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.

Në punëtorinë e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës te fëmijët në Tetovë “Roli i institucioneve edukativo-arsimore dhe komunës në parandalimin e delikuencës së fëmijëve” u theksua se pikërisht gjendjen me këto sjellje negative e përkeqëson edhe mungesa e kuadrove professional në shkolla si ajo e psikologëve.

Përndryshe, në Tetovë situate është alarmante me sjelljet devijante të fëmijëve dhe përdorimin e lëndëve narkotike. Një analizë e Portalb.mk në muajin mars nxori në pah se përdorimi i substancave narkotike nga ana e të rinjve dhe nxënësve të shkollave të mesme madje edhe atyre fillore së fundmi po shënon rritje në Tetovë dhe rrethinë. Në tetor, Portalb.mk  publikoi edhe rrëfimin tronditës të një 21-vjeçari nga Tetova i cili humbi shokët nga droga. Ai sqaroi arsyet se si ai përfundoi në këtë sjellje dhe si u largua. Ndërkaq apeloi te të gjithë: Largohuni sa keni kohë!