Në tri komunat e Maqedonisë së Veriut do të realizohet projekti ku mësimdhënësit do të ndihmojnë nxënësit me pasoja nga Kovid19

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka njoftuar që nga viti shkollor 2023/24 do të realizohet pilot-projekti në tri komuna të Maqedonisë së Veriut, ku planifikohet që mësimdhënësit të ndihmojnë nxënësit që kanë humbur shumë mësim në kohën e pandemisë Kovid-19, transmeton Portalb.mk.

“Do t’i ndihmojnë nxënësit e shkollave fillore të cilët janë ballafaquar me sfida në ndjekjen e mësimit gjatë pandemisë së Covid-it, me qëllim për të mbushur boshllëqet e njohurive në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikës, për të parandaluar pasqyrimin e tyre në nivelet e mëtejshme arsimore”, deklarojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Në këtë project do të angazhohen mësimdhënëst, kuadri mësimor dhe studentët e vitit të fundit në studimet përkatëse.

“Është paraparë programi për ndihmë dhe mbështetje të nxënësve të shkollave fillore, të cilët për shkak të pandemisë me COVID-19 nuk kanë pasur mundësi ose kanë pasur vështirësi të ndjekin mësimin online ose mësimin me prezencë fizike”, sqarojnë nga Ministria duke theksuar që pas pilot-projektit në tri komuna, do të vendoset për zgjedhjen sistematike në nivel nacional.