Edukatoret në Strugë u kthyen në punën pa vendim pune, vazhdon “lufta” e prindërve për për një vend në çerdhe

Ndonëse edukimi parashkollor sipas UNICEF-it, është jetik për zhvillimin e fëmijëve, në Maqedoninë e Veriut është akoma sfidë e madhe të regjistrosh fëmijën në çerdhe. Kjo situatë krijohet nga mungesa e çerdheve thuajse në të gjithë vendin, e sidomos në pjesët rurale, mungesa e burimeve njerëzore por edhe kushtet e vështira të punës në këto institucione. Shembull konkret për këtë ishte dhe rasti i Strugës ku 21 të punësuara në çerdhe me vite punojnë pa vendim dheme rroga shumë të ulta. Mungesa e çerdheve, mesh tjerash ndikon dukshëm në kufizimin e grave në tregun e punës, shkruan Portalb.mk.

Edukatoret dhe përkëdhelëset e çerdhes së qytetit në Strugë u kthyen në vendin e punës edhe pse statusi i tyre vazhdon të mbetet i pazgjidhur. 21 të punësuarave me kontratë në vepër u është premtuar se deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të tyre do të paguhen 15 000 denarë. Mes tjerash, u është thënë se aktualisht nuk ka fonde që të gjitha të marrin vendim pune.

“Vendosëm të kthehemi në punë edhe pse momentalisht kemi vetem premtime që do të marrim vendime. Na garantuan që do paguhemi 15 000 den në muaj, ne nuk jemi dakord me këtë por nëse e vazhdojmë protestën fëmijët janë ata që preken më së shumti. Ne e duam punën që bëjmë, i duam fëmijët besoj këtë e dëshmon edhe fakti se me vite punojmë me kushtet që më ju gjithë i dini. Shpresojmë se shpejti do të ketë zgjidhje për mua dhr të gjitha koleget.” shprehet një edukatore për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, çerdhja në qytetin e Strugës është e stërmbushur me rreth 500 fëmijë, si dhe rreth 500 të tjerë presin të regjistrohen. Për shkak të mungesës së burimeve njerëzore po dhe hapësirave të nevojshme, regjistrimi i fëmijëve në çerdhe është një sfidë e madhe për prindërit struganë, pa marr parasysh nëse jetojnë në fshat apo qytet.

LEXO: Premtimet elektorale për hapjen e çerdheve në Strugë vazhdojnë të mbeten vetëm në letër

“Për shkak se nuk kisha kush të kujdeset për vajzën mu desh të shkëputem nga puna një periudhë. Tash që familja jonë u zgjerua e kemi shumë të nevojshme që të punojë edhe unë edhe burri. Me shumë vështirësi arritëm ta regjistrojmë vajzën në çerdhe, ndërkohë unë jam duke kërkuar punë përsëri”, u shpreh një nënë e një vajze 2 vjeçare.

“Akoma pa e lindur beben miq e familjarë më thonin që ti bëjë gati dokumentet e regjistrimit për në çerdhe. Më dukej qesharake në at fazë kur unë kisha shumë halle tjera. Pas 9 muajsh pushimi të lindjes e kisha patjetër të kthehem në punë.. Na u desh të gjenim miq për të bërë çmos që djali jonë të regjistrohet në çerdhe”, thotë nëna e një vogëlushi 1 vjeçar.

“Mua mu desh të pres dy vite në listë për ta filluar djalin në çerdhe, dhe atëherë u desh të gjenim miq. Erdh një moment që ose duhej të ndalem nga puna ose patjetër fëmija të më fillonte në çerdhe”, deklaroi nëna e një djali 5 vjeçar.

“Vajza im është 3 vjeç. Ka kohë që presim të fillojmë në çerdhe, na kanë thënë se në prill do lirohet një vend. Dua ta çoj në çerdhe sepse ka nevojë për socializim”, thotë një nënë tjetër.

Problemin e thellë në funksionimin e çerdheve në Strugë e demostroi dhe revolta e 21 edukatorëve dhe përkëdhelësve të cilat me vite të tëra punojnë me kontratë në vepër duke mos gëzuar asnjë beneficion social dhe u paguar me një rrogë shumë të ulur prej vetëm 10 000 den. Revolta e tyre arriti kulmin nga njoftimi se rroga e tyre nga muaji shkurt do të ulet në 5000 den.

LEXO: Strugë, në vend që t’ju rregullohet statusi i punës, edukatoret me kontratë do paguhen vetëm 5 000 den

Edukimi parashkollor është vital për zhvillimin e fëmijëve

Gjatë pesë viteve të para, truri i fëmijëve zhvillohet me një shpejtësi shumë të madhe e cila nuk përsëritet në asnjë fazë tjetër të jetës. Për të përfituar plotësisht nga kjo rritje e shpejtë e trurit, shkenca ka ndihmuar zhvillimin e programeve të edukimit në fëmijërinë e hershme dhe mundësive për fëmijët, për të ndërtuar një themel që do të zgjasë gjithë jetën. Megjithatë, për shumë fëmijë në vendin tonë shërbimet parashkollore mbetën një luks i madh.

Sipas UNICEF, në RMV jo të gjithë fëmijët kanë qasje të barabartë në arsimin e hershëm cilësor. Edhe pse sipas statistikave që ata posedojnë vendi ka parë përmirësime në regjistrimin parashkollor nga 22% në 2012 në 35% në 2017, ai është shumë prapa normës së synuar të BE-së prej 95%. Mungesa e çerdheve ndikon që shumë fëmijë po humbasin mundësinë për të zhvilluar aftësi për të përmbushur potencialin e tyre.

Në varësi të vendit ku jetojnë, pasurisë së familjeve të tyre, përkatësisë etnike, paaftësisë ose thjesht sepse janë të ndryshëm, disa fëmijë janë më të rrezikuar të humbasin arsimin e hershëm. Fëmijët të cilët jetojnë në varfëri janë veçanërisht në rrezik të lartë pasi vetëm një në 300 fëmijë viziton çdo formë të edukimit parashkollor. Kjo jo vetëm që pengon zhvillimin e tyre mendor dhe fizik, por gjithashtu përjetëson ciklin e varfërisë ndër breza. Programet e edukimit të hershëm me cilësi të lartë kanë një ndikim thelbësor dhe pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës, duke u mundësuar fëmijëve nga familjet në disavantazh të arrijnë një fillim të ekuilibruar arsimor”, thonë nga UNICEF.

Fëmijët me aftësi të kufizuara janë gjithashtu në rrezik më të madh për të humbur arsimin në fëmijërinë e hershme. Nga UNICEF shtojnë se mungesa e arsimit në fëmijërinë e hershme krijon boshllëqe në arritje dhe zhvillim. Studimet empirike kushtuar kësaj teme konfirmojnë këtë dëshmi, duke përfshirë studimet mbi investimet në edukimin e fëmijërisë së hershme të kryera nga James Hackman, dhe një studim të fundit mbi lidhjen midis ndjekjes së arsimit të fëmijërisë së hershme dhe rezultateve të arritura në testet PISA, të kryera në 34 vende.

“Në vend, nuk ka objekte të mjaftueshme parashkollore, veçanërisht në zonat e varfra rurale, ku ato janë më të nevojshme. Për më tepër, një përqindje e konsiderueshme e prindërve ende besojnë se është më mirë që fëmijët të jenë në shtëpi sesa në institucionet parashkollore, duke mos kuptuar dobinë reale të edukimit të fëmijërisë së hershme për zhvillimin dhe arritjet e fëmijëve të tyre. Shumë shpesh, gjithashtu, cilësia dhe zbatimi i programeve për mësimin e hershëm është i pamjaftueshëm dhe stafi mësimdhënës mund të përfitojë nga programet e zhvillimit të kapaciteteve të bazuara në kërkimet dhe arritjet më të fundit në shkencë në lidhje me zhvillimin e trurit”, shtojnë nga UNICEF.

Edukimi në fëmijërinë e hershme nuk mbështet vetëm mësimin akademik, por ndërton aftësi të tjera te fëmijët që janë vendimtare për të mësuarit dhe zhvillimin e trurit, të tilla si: kurioziteti intelektual, këmbëngulja, aftësitë sociale dhe stabiliteti emocional – gjatë viteve të fëmijërisë dhe adoleshencës janë po aq të rëndësishme për suksesin e fëmijëve në të mësuarit gjatë gjithë jetës, integrimin social, zhvillimin personal, etj..

Mungesa e shërbimit në çerdhe kufizon femrat në tregun e punës

Mungesa e çerdheve, po i lë shumë gra pa punë, kjo pasi kujdesi ndaj fëmijës në shumë familje në shoqërinë tonë, konsiderohet të jetë punë vetëm e grave, përkatësisht nënave. Statistikat e vitit 2023 tregojnë që vetëm 39,3% e grave mbi moshën 15 vjeçe janë të punësuara. Një realitet i tillë konfirmohet edhe nga aktivistja për të drejat e grave, Rita Behadini.

“Nuk besoj se diskriminimi nga shteti në këtë rast vjen për shkak të gjinisë, por besoj se vjen për shkak të dështimit të sistemit shtetëror. Trajtimi i këtillë i punëtorëve, dhe veçanërisht i grave, sjell jostabilitet financiar, që shumë shpesh i detyron të njëjtat edhe të qëndrojnë në rreth dhune, apo në hapësira pune toksike. Nga ana tjetër, mungesa e çerdheve ka po të njëjtat pasoja: meqë grave ju mveshet detyra e kujdesit të fëmijëve, në rastin e mungesës së çerdheve ato detyrohen të lënë karrierën sepse nuk kanë ku t’i dërgojnë fëmijët gjatë orarit të punës. Kjo është një zinxhir që po nuk funksionoi njëra hallkë, has problem i gjithë sistemi”, theksoi Behadini.

Aktivistët bëjnë thirrje që Ministria për Punë dhe Politikë Sociale në bashkëpunim me komunat përkatëse të  intensifikojnë aktivitetet në drejtim të ndërmarrjes së masave për mbështetjen e prindërve dhe përforcimin e rolit produktiv të gruas në marrëdhënien e punës, duke rritur kapacitetin e kopshteve aktuale, si dhe hapjen e kopshteve edhe në vendet rurale.

“Fakti që nëpër çerdhe punësohen vetëm gra, e bën automatikisht problemin seksist dhe diskriminues. Rol kryesor në këtë problem kanë rolet gjinore. Gratë shihen gjithmonë si personat përgjegjës për rritjen e fëmijëve, sepse rolet gjinore i bëjnë gratë të besojnë se është ashtu, duke përjashtuar kështu përgjegjësinë e babait në familje. Nga ana tjetër, këto role gjinore ua mveshin grave disa dukuri me qëllim paraqitjen e figurës së tyre si të përshtatshme për të kryer disa profesione: mësuese, edukatore, infermiere. Shumë shpesh po këto pozita pune paguhen shumë pak, nuk ofrojnë kushte të mira dhe çojnë gratë në varfëri”, tha Rita Behadini, aktiviste për barazi gjinore.