Ministri i Shëndetësisë nuk e di se kur konkretisht do të instalohen ashensorët në Spitalin e Tetovës

Ndonëse në muajin tetor u paralajmërua se pesë ashensorët në Spitalin e Tetovës do të instalohen para Vitit të Ri, një javë para festës ende nuk ka datë konkrete se kur këto ashensorë shumë të kërkuar e përfolur do të instalohen. Ministri i Shëndetësisë i pyetur nga Poralb.mk nuk dha datë konkrete por tha se ashensorët do të instalohen.

Ministri Fatmir Mexhiti tha se procedura e ashensorëve është pyetje shumë e dhimbshme për të pasi siç tha, me këta procedura burokratike shtetërore që janë, nuk mundet të ia del.

“Patjetër si ministër i Shëndetësisë duhet t’i respektoj ligjet, këta janë ligjet aktuale. Por atë që bëj unë, inicioj për çdo ditë kur kemi mbledhje të Qeverisë që proceset të ecin shpejtë, sigurt dhe mos të ketë komplikime, jam duke i thjeshtëzuar komplikimet posaçërisht në shëndetësi”, tha Mexhiti.

I pyetur se kur konkretisht ashensorët do instalohen, ministri nuk dha datë konkrete.

“Janë në proces e sipër, ashensorët patjetër se do të bëhen por ajo që unë nuk mundi të ju sigurojë saktë se nuk varret prej meje, ka një komision ku janë këto prokurimet, komisioni i shkallës së dytë, domethënë ata rregullisht kanë bërë probleme, unë këtë e kam përhapur edhe në publik, por sido që të jetë, ata mund ta anulojnë një herë – dy herë, por unë jam këtu për të qenë gjithmonë rezistent edhe do të ja dal edhe ashensorët do të jenë realitet, mjetet financiare jo tani por para tetë muajsh janë ndarë për ashensorët, patjetër të respektojmë ligjet”, tha Mexhiti.

Ministri këtë deklaratë e dha sot në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Klinik të Tetovës me rastin e hapjes së “Shkolla e ushqyerjes me gji – Rosa” në këtë institucion shëndetësor publik. Në të, nënat e reja dhe prindërit e ardhshëm, do të kenë mundësinë të marrin ndihmë profesionale me mbështetjen e personelit mjekësor, duke përfshirë edukimin për rëndësinë dhe përfitimet e ushqyerjes me gji.

Kujtojmë që Komisioni i Prokurimeve publike rrëzoi procedurën për ashensorët e Spitalit të Tetovës, me çka procedura filloi nga e para pasi kishte ankesë kundër vendimit për ofertuesin e zgjedhur.

Ashensorët në bllokun kirurgjik të Spitalit të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ashensorët në bllokun kirurgjik të Spitalit të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ashensorët aktual në Spitalin e Tetovës janë të vjetër dhe vazhdimisht pësojnë defekte, shpesh duke qenë jashtë funksionit për periudha të gjata. Pavarësisht nevojës së madhe për zgjidhjen afatgjate të së njëjtëve, pasi shpesh pacientët dhe kufomat barteshin me duar, autoritetet deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problematikë.