Ministrat e BDI-së nënshkruan dorëheqjet me kusht

Zëvendëskryeministri – Artan Grubi së bashku me ministrat e tjerë të BDI-së, Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri i kanë dorëzuar dorëheqjet kryeministrit Dimitar Kovaçevskit, njoftuan ata përmes rrjeteve sociale, transmeton Portalb.mk.

“Si bartës i funksionit të rëndësishëm publik, i vetëdijshëm për mirëqenien e qytetarëve tanë dhe ardhmërinë e tyre e cila padyshim e ka vendin në familjen e madhe evropiane, duke e pasur parasysh emërtimin e subjektit politik të cilit i takoj dhe i cili në parim e ka integrimin e vendit si në NATO, BE dhe raportet e ngushta dhe të afërta me SHBA, duke e pasur parasysh kushtin e pahijshëm të opozitës për ti votuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend,  duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e integrimit dhe ardhmërinë dinjitoze të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Artan Grubi.

Këtë njoftim e kanë shpërndarë edhe ministrat e tjerë të BDI-së.

Në qarqet politike ka interpretime të ndryshme pas dorëheqjeve të kushtëzuara nga ministrat dhe qeveritarët e BDI-së. LSDM dje tha se pas lëvizjes së BDI-së, tani është radha e Hristijan Mickoskit të vendosë nëse është për BE apo për izolim. VMRO-DPMNE thekson se qëndrimi i tyre është i qartë, gjegjësisht se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Nga ana tjetër, Arben Taravari e ka konsideruar këtë veprim të BDI-së si lojë fëmijësh.

Kujtojmë që paraprakisht, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nëpërmjet një letre publike drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se kanë dhënë dorëheqje ministrat dhe funksionarët e BDI-së, por të njëjtat do të aktivizohen pasi VMRO-DPMNE-ja opozitare t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

Pas këtij akti, VMRO-DPMNE doli me reagim duke kërkuar që dorëheqjet e ministrave të BDI-së të jenë të parevokueshme dhe më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia opozitare konsideron se është mirë që BDI pas 20 vitesh në pushtet është gati të shkojë në opozitë dhe siç thonë ata do të mund të përgjigjen për krimin dhe të dëshmojnë pafajësinë e tyre.

Ndryshe, në qershor të këtij viti, lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski, realizoi takim me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku ishte propozuar që të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në dhe 5 nga 10 ministrat e LSDM-së t’i kalojnë opozitës maqedonase, por që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese. Mickoskit i kishte pëlqyer ideja, por kishte dhe një kusht, që BDI-ja të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie.

“VMRO-DPMNE është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, ku zgjedhjet do të përgatiten nga një qeveri teknike njëqind ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ndryshimet e mundshme kushtetuese të fillojnë të hyjnë në fuqi ditën kur do të fillojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në kuadër të BE-së nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Mickoski.

BDI nga ana tjetër nuk hezitoi të kthejë përgjigje me të cilën pranonte kalimin në opozitë, që ekspertët e vlerësuan si veprim me të cilin e kanë zënë në befasi kreun e VMRO-së Mickoskin, i cili me gjasë priste që një ofertë e tillë të refuzohej.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozues i të cilit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tani më e ka caktuar seancën plenare më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.