Microsoft shpalosi mini-aplikacione për monitorimin e procesorit, memories dhe rrjetit

Nëse jeni ankuar se mini-aplikacionet e Windows vetëm ngarkojnë ekranin me informacione të parëndësishme, Microsoft mendon se ka një zgjidhje, raporton PCW. Kompania ka zhvilluar disa mini-aplikacione të reja të cilat janë pjesë a aplikacionit Microsoft Dev Home. Përmes tyre përdoruesit do të mund të monitorojnë procesorin, memorien, përdorimin e kartës grafike dhe performancën e rrjetit.

Janë të ngjashme me atë çfarë bën Task Manager por me disa përmirësime mjaft të dobishme. Mini-aplikacionet e Microsoft janë kryesisht një portë drejt një informacioni më të zgjeruar.

Ju mund të shkarkoni nga ky moment aplikacionin Dev Home (Preview) nga Microsoft Store. Ka një madhësi prej afro 400MB dhe nuk keni nevojë të bëni asnjë konfigurim apo ta përdorni për të shfaqur mini-aplikacionet. Mjafton të klikoni në ikonën Widgets në cepin e majtë të taskbarit dhe një buton “+” në krye.

Kështu mund të shtoni mini-aplikacionet e reja dhe të shikoni procesorin, memorien, kartën grafike dhe rrjetin të shfaqen në krye të listës.