Mickoski: Zjarrvënia të kualifikohet si terrorizëm, janë identifikuar rreth 20 persona të lidhur me zjarret
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në lidhje me zjarrin e përsëritur të shkaktuar në Shkup dhe deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili mohoi se ekzistojnë persona që i ndezin zjarret, deklaroi se janë identifikuar rreth njëzet persona për të cilët ekziston dyshim i bazuar se qëndrojnë pas gjithë këtij procesi, transmeton Portalb.mk.
“Unë tani nuk do të hyja në konstruksionin fillestar se më ka demantuar ministri i Punëve të Brendshme, këtë mëngjes keni parë, u paraqit një video e qartë ku shihet se si ndodh ndezja e qëllimshme e zjarrit në një objekt që shpërtheu sot në orën 04:30. Isha vazhdimisht në linjë me kryetarin e Komunës së Kisella Vodës, me ministrin dhe me njerëzit nga shërbimi i zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit. E patë se sa paturpësisht po bëhet zjarrvënie dhe kjo është vetëm një provë tjetër e asaj që kam thënë gjatë gjithë kohës, se për fat të keq, ka qendra pushteti që përpiqen të mbjellin frikë, panik tek qytetarët para zgjedhjeve. Dhe përgjigjen në pyetjen se kujt i përshtatet kjo, mendoj se me një analizë shumë të shkurtër do ta merrni vetë, nëse e bëni”, tha Miskoski.
Ai shtoi se po mbahet mbledhje e nivelit më të lartë të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se janë identifikuar rreth njëzet persona për të cilët ekziston dyshim i bazuar se qëndrojnë pas gjithë këtij procesi.
“Njëkohësisht, kishim disa informacione që i kemi mbledhur gjatë ditëve të fundit dhe, në një aksion të koordinuar, Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me Ministrinë e Mjedisit Jetësor do të veprojnë në ditët që vijojnë. Pra, për fat të keq, ka struktura të cilat në këtë mënyrë, do të thoja, përpiqen të fusin destabilitet dhe trazirë. Por siç thashë, ata do të ndërtojnë skenarë, do të përfitojnë në kurriz të tjerëve, do të ndezin zjarre, ndërsa ne do të punojmë me ndershmëri, do të luftojmë dhe në fund sërish do të fitojmë”, tha Mickoski.
Ai madje beson se duhen miratuar urgjentisht ndryshime ligjore që do ta kualifikonin zjarrvënien si terrorizëm.
Siç tha kryeministri në përgjigje të pyetjes së një gazetari, ai tha se e ka diskutuar këtë tashmë me koordinatorin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në Kuvend, Nikolla Micevski.
Përveç trajtimit të zjarrvënies si terrorizëm, Mickoski tha se amendamentet që u diskutuan duhet të ndihmojnë edhe në zgjidhjen e problemit të deponive të paligjshme, përkatësisht ato duhet të përcaktojnë që asgjësimi i pakujdesshëm i mbeturinave duhet të dënohet me dënim me burg prej më shumë se pesë vjetësh.
“Në kuadër të procedurës parlamentare, diskutova me koordinatorin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së që urgjentisht të kemi amendamente në ligjet që do ta kualifikonin zjarrvënien si akt terrorizmi, dhe hedhja e mbeturinave aty ku nuk i takon do të jetë një tjetër vepër penale që do të dënohet me dënim me burg prej më shumë se pesë vjetësh”, tha Mickoski.
Përveç kësaj, kryeministri tha se dje Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u dërgoi një letër të gjitha komunave që të marrin masa urgjente për pastrimin e deponive të paligjshme dhe asgjësimin e mbeturinave.
“Dhe gjithashtu u bëj thirrje qytetarëve që formojnë këto deponi të paligjshme që të ndalojnë formimin e tyre sepse të gjithë ata që kapen do të ndëshkohen rëndë”, tha Mickoski.
Ndryshe, kohëve të fundit, janë raportuar zjarre edhe në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.
Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.