Më 24 shtator Metamorfozis do të organizojë forumin “Komuna e Hapur – Komuniteti Aktiv”

Të mërkurën, më 24 shtator 2025 në orën 10:30 në Qendrën e Burimeve Qytetare në Shkup, projekti “Transformimi Digjital në Nivel Lokal (DIGILOC) – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit“, i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas, organizon forum njëditor të titulluar “Komuna e Hapur – Komuniteti Aktiv”. Forumi organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, Koalicioni Rural dhe Qendra për Inovacion Social Blink 42-21. Ngjarja do të mbahet në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i forumit është ta theksojë rëndësinë e një lufte gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit në nivel lokal, me pjesëmarrjen aktive të të gjitha grupeve shoqërore, duke i përfshirë edhe të margjinalizuarit. Forumi i bashkon autoritetet lokale, qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët dhe mediat në veprim të përbashkët të bazuar në bashkëpunim dhe përfshirje.

Në forum do të prezantohen gjetjet më të fundit nga Indeksi i Hapjes së Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2025, në mënyrë që qytetarët të fitojnë një pasqyrë nëse dhe në çfarë mase komuna e tyre është e hapur dhe llogaridhënëse, dhe në bazë të kësaj të kërkojnë përfshirje më të madhe në vendimmarrjen në nivel lokal. Në të njëjtën kohë, do të prezantohen edhe sukseset e mbështetjes mentoruese që iu ofrua nëntë komunave në kuadër të projektit, me theks në rritjen e hapjes dhe transparencës së tyre. Për më tepër, në ngjarje do të shpalosen përfitimet e platformës digjitale mZaednica (mKomuniteti) si një mjet për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve me funksionalitet të ri për konsultime online.

Folës në ngjarje do të jenë ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Kërzhallovski, Udhëheqës i Ekipit Kombëtar të Programit Civica Mobilitas, dhe Dançe Danilovska-Bajdevska, Drejtore e programeve  në Fondacionin Metamorfozis, pritet të mbajnë fjalë përshëndetëse. Gjithashtu, përveç organizatave partnere, folës në këtë ngjarje pritet të jenë kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, kryetari i komunës së Berovës, Zvonko Pekevski, kryetari i komunës së Demir Hisarit, Nikolla Najdovski dhe një përfaqësues nga Komuna e Aerodromit.

Projekti “Transformimi Digjital në Nivel Lokal (DIGILOC) – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit” është një projekt i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis” nga Shkupi, i zbatuar në partneritet me “Koalicionin Rural” nga Kërçova dhe Qendrën për Inovacione Sociale “BLINK 42-2” nga Shkupi. Projekti mbështetet financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas. Projekti mbështet përfshirjen aktive të komunitetit në ndërtimin e rezistencës së fortë ndaj korrupsionit në nivel lokal. Kur komuniteti e monitoron në mënyrë proaktive dhe kërkon përgjegjësi nga autoritetet lokale, krijon një ekosistem të fortë që e zvogëlon korrupsionin. Kjo nxit një kulturë transparence dhe llogaridhënieje, e cila e parandalon përparimin e praktikave korruptive dhe kontribuon për një qeverisje lokale më të drejtë.

Kujtojmë se në “Raporti nën hije” për lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut i publikuar nga Fondacioni Metamorphosis në bashkëpunim me Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT) u theksua se ritmi i ngadalshëm i reformave në media, ndikimet dhe presionet politike, pasiguria ekonomike dhe prania e dezinformatave po e dëmtojnë besimin e qytetarëve tek mediat.