Samiti i Procesit të Berlinit në Mal të Zi, Mickoski pret mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministri Hristijan Mickoski pret mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe diskutime përmbajtjesore dhe rezultate konkrete nga Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit, që po mbahet në Malit të Zi, transmeton Portalb.mk.

Para fillimit të samitit, Mickoski theksoi se dosja e Maqedonisë është komplekse, por se vendi prej kohësh e ka merituar përparimin në rrugën drejt BE-së.

“Sot pres mesazhe shumë të fuqishme lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Natyrisht, këtu e përfshij edhe vendin tim. Dosja e Maqedonisë është shumë komplekse. Prej kohësh e kemi merituar të jemi pjesë e BE-së, por, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje t’i fillojmë negociatat”, deklaroi Mickoski para fillimit të samitit.

Kryeministri paralajmëroi se në fjalimin e tij para liderëve evropianë dhe rajonalë do të riafirmojë përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Maqedonisë ndaj agjendës së reformave dhe rrugës së integrimit evropian.

Ai theksoi edhe sfidat aktuale globale, ndër të cilat përmendi luftën në Ukrainë, luftën me Iranin, krizën në tregjet financiare dhe protestat nëpër Evropë.

Mickoski shprehu shpresën se diskutimet e sotme në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit do të jenë përmbajtjesore dhe do të rezultojnë me rezultate konkrete e frytdhënëse.

Në kuadër të samitit do të mbahet edhe seanca plenare me temën “Rajoni në lëvizje: Ballkani Perëndimor e formëson të ardhmen e përbashkët të Evropës”.

Sot në në Miloçer të Budvës në Mal të Zi, mbahet Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, në kuadër të përmbylljes së kryesimit malazez të këtij procesi.

Takimi i liderëve mbahet i mbyllur për media.

Ngjarja është një tubim i nivelit të lartë që do të shënojë përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi dhe do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare.

Mali i Zi është në vijën e parë të zgjerimit të BE-së me synimin që të bëhet anëtari i 28-të i bllokut më 2028.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përpjekjet reformuese të vendit, duke theksuar se 18 nga 33 kapitujt e negociatave të anëtarësimit janë mbyllur tashmë dhe se “disa të tjerë” pritet të mbyllen brenda këtij muaji.

Procesi i Berlinit u krijua për të shoqëruar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Por shumë prej vendeve e kanë rrugën të bllokuar për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.

Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.

Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.

Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.

Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.

Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.